
Rënia e infektimeve nga koronavirusi ul ndjeshëm interesin për vaksinën anti-COVID. Më pak se 2 mijë vaksinime kryhen çdo ditë në të gjithë vendin, një shifër që po shihet më shqetësim nga ekspertët e shëndetit publik.
Epidemiologu Alban Ylli, njëherësh përfaqësues i komitetit teknik thotë se qytetarët duhet të kryejnë procesin e vaksinimit në mënyrë që edhe sezoni turistik t’i gjejë më të mbrojtur nga çdo qarkullim i mundshëm të virusit. “Covidi e ka dëmtuar sezonin turistik dhe nuk do të duhet të merrnim asnjë risk si shoqëri. Unë besoj se vaksinimi është strategjia më e mirë për të parandaluar çdo problem nga ndonjë qarkullim i mundshëm i varianteve të reja. Ndaj përsëris vaksinim, vaksinim”, thotë për A2 CNN mjeku.
Sipas një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, 4 persona për 100 mijë banorë do të kishin shpëtuar nga vdekja nëse nivelet e vaksinimit do të ishin më të larta dhe nëse do të kishte respektim të masave anti-Covid.
“Sipas një studimi në nivel europian ku kemi përfshirë dhe SHBA dhe Kanadanë. Janë 4 vdekje për 100 mijë banorë që mund të parandaloheshin nëse do të kishim 1 pikë % më të lartë të mbulesës vaksinale. Ndërsa 6 vdekje për 100 mijë banorë mund të parandaloheshin nëse do të zbatoheshin më mirë masat”
Ekspertët thonë se koronavirusi do të jetë gjatë mes nesh, ndaj po mendohet që vaksina anti-Covid të jetë e përvitshme.
“Në të ardhmen mund të jetë e nevojshme një dozë e përvitshme për t`u mbrojtur nga Covidi. Është një projektim për të ardhmen bazuar në atë çka po ndodh në lidhje me koronavirusin dhe aftësinë e tij për të krijuar variante të reja", shton Ylli.
Mbi 40% e popullsisë në të gjithë vendin janë vaksinuar me 1 dozë anti-Covid. Edhe më e ulët është kjo shifër për dozat e dyta dhe të treta, ndërsa të rinjtë mbeten kategoria më refuzuese ndaj vaksinës. (A2 Televizion)