Manchester City siguroi një fitore tepër të rëndësishme kundër Chelsea-t këtë të shtunë, duke mundur londinezët 1-0 në fushën e tyre, për t’i arritur në renditjen e Premier League. Golin e vetëm të takimit e shënoi Gabriel Jesus, me një gjuajtje të saktë nga brenda zonës në të 53’.
Fitorja ishte e rëndësishme edhe për trajnerin Pep Guardiola personalisht, i cili futet në historinë e klubit si trajneri me më tepër fitore të arritura në të gjitha kompeticionet, plot 221. Rekordin e deritanishëm e mbante Les McDowall, i cili kishte 220 fitore me City-n në periudhën 1950-1963.
Ndërsa City festonte në Londër, Manchester United pësoi humbjen e parë në kampionat, duke u mundur 1-0 në shtëpi nga Aston Villa, diçka që nuk ndodhte prej vitit 2009. Me Cristiano Ronaldon në fushë për 90 minuta, “Djajtë e Kuq” nuk arritën të shënonin asnjë gol, edhe pse realizuan plot 28 gjuajtje.
Edhe pse është humbja e parë në Premier League, Ole Gunnar Solskjaer duket nën presion pasi skuadra e tij u eliminua nga Kupa Carabao dhe gjithashtu u mund nga Young Boys në Champions League. (A2 Televizion)