
VAR-i, modeli i ri i Champions League, Superliga, 5 zëvendësimet… Futbolli është në ndryshim e sipër vitet e fundit, por askush deri më sot nuk kishte bërë një propozim kaq revolucionar sa ajo që ka bërë sot Stefano Pioli, në konferencën për shtyp në prag të sfidës Spezia-Milan.
Trajneri i kuqezinjve e shpjegoi kështu idenë e tij: “Nëse duam një futboll më sulmues, duhet të vendoset një rregull që nuk të lejon të kthesh topin në mesfushën tënde, në momentin që ke kaluar në mesfushën kundërshtare”.
Edhe pas ndeshjes ndaj Juventusit, Pioli u ankua për kohën efektive të lojës që u luajt. Sipas tij, në atë sfidë u luajtën vetëm 48 minuta futboll, duke shtuar se diçka e tillë i pengon ekipet italiane që më pas të luajnë me ritëm në Champions.
Sot, Pioli tha gjithashtu se kohëzgjatja e një ndeshjeje futbolli duhet të bazohet në kohën efektive të lojës, duke theksuar se kur topi del jashtë ose një lojtar kërkon ndihmë mjekësore në fushë dhe loja ndalon, atëherë edhe koha duhet të ndalet, derisa të rinisë loja. (A2 Televizion)