
Fushata ka nisur dhe bashkë me të edhe premtimet që bëjnë partitë politike. Së fundmi, kemi dëgjuar kryeministrin të premtojë 24 orë ujë të pijshëm, nëse fiton një mandat të tretë. Të ndërtojë aeroporte lokale dhe rrugë, nëse shqiptarët do t’i besojnë qeverisjen në 4-vjeçarin e ardhshëm. Por, pse nuk u bënë në 8 vjet dhe cilat janë problematikat e këtyre sektorëve sot? Pse shqiptarët kanë pak ujë, edhe pse jetojnë në një vendet me më shumë burime ujore? Pse paguajmë ne sot kaq shtrenjtë për biletat e fluturimeve ajrore? Pse rrugët mungojnë apo kanë probleme në një pjesë të mirë të territorit? Këtyre pyetjeve u dha përgjigje këtë të mërkurë në A2 Business.
Bardhi Sejdarasi, ekspert për ekonominë, u shpreh se ky sektor ka nevojë për një reformë të thellë dhe se një parti e vetme nuk mund ta ndryshojë situatën.
“Është një nga sektorët që në 3 dekadat e fundit nuk është prekur farë nga të gjithë aktorët. Ne flasim për premtime dhe avantazhe që mund të ketë ky sektor, por harrojmë të shohim rregullatorët, kush janë dhe si kanë funksionuar? Ne kemi një Ent Kombëtar për Ujin, ne kemi një Komitet Kombëtar të Ujësjellësve dhe pothuajse asnjë prej nesh nuk di rolin dhe funksionin e tyre.
Reformën e ujit nuk mund ta bëjë as një partie e vetme dhe as një institucion i vetëm sepse është një reformë komplekse, e cila i kërkon të gjithë aktorët.
Reformimi për të siguruar ujë të pijshëm për shqiptarët duhet të nisë nga Enti Rregullator i Ujit. Entet janë bërë si ikona që nuk i prek askush. Një pjesë e ndërmarrjeve menaxhohen nga bashkitë, pra qeveria edhe sikur të dojë të ndërhyjë në një nga këto ndërmarrje nuk e bën dot. Nëse nuk ka një reformë gjithëpërfshirëse, atëherë mund të duhen edhe 30 vite që të kemi 24 orë ujë të pijshëm”, u shpreh Sejdarasi. (A2 Televizion)