
“Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua”. Ky është slogani me të cilin u çel zyrtarisht Java Globale e Parasë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh në ceremoninë online për rëndësinë e edukimit të të rinjve mbi kulturën financiare dhe menaxhimin e të ardhurave, për të përballuar sa më mirë në të ardhmen, kriza si kjo që po kalojmë.
“Emergjenca globale shëndetësore dhe ekonomike e COVID-19, si dhe impaktet e saj shoqërore, kanë ndikuar pothuajse të gjitha aspektet e jetës të të gjitha nëngrupeve të shoqërisë. Tashmë është e qartë që grupmosha të ndryshme po i përjetojnë këto ndikime në mënyra të ndryshme.
Sa i përket nxënësve dhe të rinjve, krahas aspektit shëndetësor, pandemia i ka përballur ata edhe me sfida në fushat e edukimit dhe punësimit. Për këto arsye, tashmë është më e rëndësishme se kurrë t’i pajisim ata me dijen e duhur mbi menaxhimin e financave personale dhe shfrytëzimin e saktë të produkteve bankare”, deklaroi Sejko.
Për ministren e Arsimit, Evis Kushi, edukimi financiar ka marrë një rëndësi të veçantë në programet dhe kurrikulat mësimore. Ndërsa për Kryetarin e Shoqatës së Bankave, ky lloj edukimi kërkon një vëmendje edhe më të madhe për shkak të ndryshimeve teknologjike që po përjetojmë.
“Të gjitha këto ndryshime që po ndodhin në jetën tonë po nxisin modele dhe mundësi të reja, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm që të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që na ofrohen nga ky inovacion, por të të njëjtën kohë duhet të shmangim rreziqet që vijnë së bashku me këtë revolucion digjital”, u shpreh Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi.
Guvernatori Sejko shtoi qëndrimin se është vendimtare që institucionet e angazhuara në këtë iniciativë, të mos i rreshtim përpjekjet tona për t’i sjellë ato në vëmendje të brezit të ri.
Aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e konkurseve të organizuara me rastin e Javës së Parasë, si vizatimi më i mirë, memet më të mira, video më e mirë dhe postimi më i mirë në Facebook. (A2 Televizion)