Policia e Norfolkut thotë se ka folur me Princin Philipp pasi ky i fundit është fotografuar duke ngarë makinën pa vendosur rripin e sigurimit, 48 orë pasi u përfshi në një aksident pranë rezidencës mbretërore në Sandringham. Një zëdhënës i Pallatit tha se Princit i ishin dhënë këshilla të vlefshme.
Ndërkohë, Emma Fairweather, gruaja e cila gjatë aksidentit me Dukën e Edinburgut pësoi një frakturë në krah, tha për “The Mirror” se ai as nuk i ka kërkuar falje për atë që ndodhi, edhe pse nga Pallati Mbretëror u raportua se ka pasur kontakte mes palëve për të shkëmbyer urimin për shërim të shpejtë.

Aksidenti ndodhi të enjten kur Land Rover Freelander i Princit Philipp u përplas me një makinë tip Kia, ndërsa dy ditë më vonë, “Daily Mail” dhe “The Sun” publikuan foto të Princit duke ngarë një Land Rover tjetër pa vendosur rripin e sigurimit. (A2 Televizion)