
Nga Shkodra e deri në Tiranë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ndonëse ka furnizuar me pamje, por pa zë mediat, ka përcaktuar disa nga prioritetet e tij si ministri më i ri i Ministrisë më të rëndësishme në vend.
1. Shkodër: Të intensifikohet puna për goditjen e grupeve kriminale dhe pastrimin e alpeve nga kultivimi i lëndëve narkotike.
Në Shkodër mesazhi i ministrit të Brendshëm ishte ai i goditjes së grupeve kriminale, por në Shkodër deri më tani asnjë nga grupet kriminale të njohura nuk është goditur, ndërsa në këtë qytet numërohen një sërë vrasjesh ende të pazbardhura.
2.Lezhë: Në Shqipëri nuk mund të ketë feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët.
Fare pranë Shkodrës në Lezhë, Balla rikiujtoi dhe një herë forcën e ligjit duke thënë se në territorin e kësaj republike nuk mund të ketë feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë, sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve. Prej kohësh aksi Lezhë-Laç-Fushë Krujë vijon të jetë një nga më problematikët e krimit të organizuar aq sa dhe policia ka qenë e pafuqishme të ndërhyjë apo parandalojë ngjarje.
3.Krujë: Kanabisi, goditja duhet sistematike, çdo ditë.
Edhe pse lufta ndaj kanabisit duket sikur ka dalë nga vëmendja e strukturave të policisë Balla rikujtoi dhe një herë se goditja ndaj tij duhet të jetë sistematike. Ministri përshëndeti operacionet në Krujë duke thënë se përderisa përsëri e përsëri, tek tuk, kanabisi rinxjerr kokën sapo policia e kthen kokën nga ana tjetër, lufta kundër kultivimit të kanabisit duhet vazhdojë edhe më fort.
4.Vlorë: Të garantohet bregdeti i sigurt për pushuesit nga mjetet lundruese.
Kur plagët e humbjes tragjike të jetës së vogëlushes Jonada Avdia nuk mund të mbyllen ministri i Brendshëm u rikujtoi efektivëve të Vlorës se bregdeti duhet të jetë i sigurt. Ndër të tjera, Vlora duke qenë një prej qarqeve problematike për krimin e organizuar, Balla tha se veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore ndaj të fortëve të lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.
5.Fier: Policimi në Komunitet duhet të ngrihet në një nivel të ri.
Policia nuk duhet të qarkullojë në lagje vetëm për të vënë gjoba. Në Fier, ministri i Brendshëm tha se policia nuk qarkullon në lagje thjesht dhe vetëm për të vënë gjoba, apo për t'u dukur se është thjesht aty, por për të bashkëjetuar me njerëzit, mësuar prej tyre dhe mbështetur zgjidhjen e konflikteve të vogla që mund të kthehen në kusure të mëdha për tëgjithë.
6.Durrës: Policia Rrugore nuk është gjahtare shkelësish.
Nuk më interesojnë “sukseset” e gjobave, por bindja e përgjithshme e qytetarëve se duhen zbatuar rregullat. E njohur si faturuesja më e madhe që mbush arkën e shtetit me gjobat e policisë rrugore, Tulant Balla është i vetmi ministër që tha para drejtuesve të policisë së Durrësit që nuk i interesojnë gjobat më shumë se sa bindja qytetare për të respektuar rregullat e qarkullimit. Ministri hoqi dhe automjetin e tij si të paprekshëm nga gjobat apo dhe shkelja e qarkullimit rrugor por zelli i efektiveve rrugore vijon ta shkelë kur eskortat e ministrave apo presidentit kalon në rrugët e kryqytetit.
7.Elbasan: Forcat e rendit duhet të qëndrojnë vetëm në krahun e qytetarëve.
I njohur si një nga qytetet me krimin e organizuar më të madh në vend dhe me disa grupe të strukturuara, Elbasani vijon të prodhojë ngjarje kriminale. Për këtë, ministri i Brendshëm tha se do të zbresë vetë të kërkojë përgjegjësinë në çdo zyrë e Komisariat në luftën ndaj krimit.
8.Korçë: 100 banesat e para do t'u jepen familjeve të reja të punonjësve të Policisë. Kodi Etik, udhërrëfyes për çdo punonjës.
Në Korçë, ministri i Brendshëm ritheksoi dhe një herë angazhimin që ka marrë lidhur me trajtimin e punonjësve të policisë me banesa ndërsa kodi etik sipas tij duhet të vijojë të jetë udhërrëfyes në punën e përditshme të policisë.
9.Tiranë: Revolucioni Digjital në Policinë e Shtetit duhet të çohet përpara me ritëm të lartë.
Në Tiranë, metropolin shqiptar, ndodhin të gjitha. Krimi i organizuar, vrasje të pazbardhura, trafik narkotikësh por dhe shumë shkelje të tjera të ligjit e për këtë ministri Balla e vuri theksin te revoluciuoni digjital. Ministri tërhoqi vëmendjen e Policisë për të bërë më shumë dhe rritur gamën e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve online. Policimi në Komunitet nga ana tjetër duhet të ngrihet në një nivel krejtësisht të ri, me fokus shqetësimin qytetar. (A2 Televizion)