
Vladimir Putin po e sheh veten gjithmonë e më shumë të izoluar ndërkombëtarisht, por edhe në pozicion jo shumë të mirë me rrethin e tij të ngushtë. Kështu shkruan “The Washington Post”, bazuar në informacionet e zbuluara nga shërbimet e inteligjencës amerikane.
Sipas këtij burimi, një anëtar i rrethit të brendshëm të Presidentit rus e ka qortuar atë për dështimin e trupave ruse në territorin ukrainas, veçanërisht javët e fundit, pas tërheqjes së ushtrisë ruse përballë kundërsulmit të papritur nga ukrainas në Kharkiv dhe në Kherson. Ky person, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, i ka shprehur Putinit shqetësimin e tij për keqmenaxhimin dhe gabimet e bëra nga drejtuesit ushtarakë.
“Që nga fillimi i pushtimit, ne kemi qenë dëshmitarë të alarmit në rritje të anëtarëve të ndryshëm të rrethit të brendshëm të Putinit. Vlerësimet tona sugjerojnë se ata janë veçanërisht të mërzitur për humbjet e fundit ruse dhe mangësitë ushtarake”, tha një anëtar i shërbimit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara për gazetën amerikane.
Përkundër gjithë kësaj, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, siguroi javë më parë në një intervistë për “The Washington Post” se ka pasur disa herë mosmarrëveshje, megjithëse, sipas tij, “këto gjëra janë pjesë e procesit të zakonshëm të punës”.
Disa ditë më parë, një burim anonim rus i konsultuar nga “Daily Mirror” tregoi se cili mund të jetë fundi më i mundshëm i liderit të Kremlinit. “Një kryengritje ushtarake është fundi më i mundshëm i qeverisë së Putinit. Elita ushtarake e Moskës nuk ka gjasa që të lejojë Vladimir Putinin të lëshojë armë bërthamore në luftën e tij të dështuar kundër Ukrainës. Përballë pamaturisë së tij dhe shmangies së përdorimit të armëve bërthamore, ata me shumë gjasa do të bëjnë një grusht shteti për ta rrëzuar atë”.
Sipas burimit, zëvendësuesi më i mundshëm i Putinit do të ishte Yevgeny Prigozhin, një nga njerëzit e besuar të presidentit aktual. Ai është 61 vjeç dhe është mbiquajtur “kuzhinieri i Putinit”, sepse kompania e tij e kateringut punon për të. Por, ai gjithashtu ka lidhje me spiunët GRU dhe ishte themeluesi i Grupit Wagner.
Jashtë Rusisë, Putin kishte “mbështetjen” e Kinës për çështjet tregtare, pavarësisht qëndrimit neutral të Pekinit për konfliktin. Megjithatë, gjiganti aziatik kritikoi ashpër vendimin e Moskës për të aneksuar katër territoret në Ukrainën lindore (Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia).
“Pozicioni i Kinës për çështjen e Ukrainës është konsistent dhe i qartë. Ne gjithmonë theksojmë se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet”, tha të premten Mao Ning, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze. (A2 Televizion)