
Kryedemokrati Lulzim Basha priti në një takim një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar, me të cilin tha se ndau shqetësimet e tij në lidhje me situatën ekonomike në vend.
Reporterja e A2, Klementina Cenkollari, e pyeti Bashën në lidhje me qëndrimin e Kryeministrit, i cili ndonëse njohu problemet me ekonominë, ia faturoi ato opozitës, duke pretenduar se aksioni i saj solli pasiguri për të nesërmen, duke ndikuar edhe në ekonomi.
“Sipas Kryeministrit Rama fajin e kanë të gjithë vetëm ai nuk ka faj. E vetmja përgjigje që kam për këtë është të hapë veshët e të dëgjojë mirë se nga Shkodra në Vlora, nga Tiranë në Korçë, mesazhi është i qartë. Largimi i kësaj qeverie dhe hapja e rrugës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është ilaçi për këtë krizë të thellë politike që është arsyeja e krizës ekonomike dhe krizës sociale. Dhe kjo krizë politike bazën e saj e ka te kapja e të gjithë pushteteve nga Edi Rama dhe e bandës së tij”, u shpreh kryedemokrati Basha. (A2 Televizion)