
Edi Rama nuk heq dorë nga mbroja për Shengenin Ballkanik. “Kush është kundër Shengenit Ballkanik, nuk kupton asgjë”, thotë ai. Kundër thotë se ka patur edhe Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, por ka arritur ta bindë.
Të njëjtën gjë po tenton edhe me Kosovën. “Kjo e vendos Kosovën edhe në një pozitë më të mirë edhe me Serbinë, nuk e dobëson dhe sepse politika e mbylljes. Politika e vetë-rrëfimit është politikë vetëvrasëse”, tha Rama.
Në Prishtinë nuk besojnë se Shengin Ballkanik ishte ide e Edi Ramës. “Ë shohim qartë se ka dirigjentë kjo nismë. Shihni që zoti Vuçiç është shefi i shefave dhe kjo nuk është në favorin e Kosovës sepse qëndrimet e tij i njeh secili. Deri sa ai ka këto konsiderata, ne nuk duam të ulemi në tavolinë me të”, shprehet Behgjet Pacolli, ministër i Jashtëm në detyrë i Kosovës.
Më të ashpër shprehen shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës. “Është një hap i ngutshëm me mashtrime që di të bëjë Serbia. Kjo është demagogji për të cilën unë nuk jam në pozicionin që të vlerësojë punën e qeverisë shqiptare, megjithatë e kam të drejtën e vendosjes së syrit kritik në këtë fushë”, shprehet Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pranojnë se në fillim kanë qenë skeptik prandaj e mirëkuptojnë Kosovën, por tregojnë pse ndryshuan qëndrim.
“Ne si shqiptarë të Maqedonisë së Veriut kemi pasur tre parakushte për të pranuar një nismë të tillë. Të ftohen të gjitha vendet, të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të ketë mbështetjen e Bashkimit Europian”. Në Novisad këto 3 parakushte nuk ishin të plotësuara, mirëpo në Ohër ishin të plotësuara”, tha Bujar Osmani, zëvendëskryeministri i qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Pas Novisadit dhe Ohrit, takimi i radhës për Shengenin e Ballkanit do jetë në Durrës në 21 dhjetor. (A2 Televizion)