
Ndryshimi i çmimeve të referencës për pronat në disa prej qyteteve kryesore të vendit, miratuar me vendim qeverie, do të rëndojë xhepat e qytetarëve. E kësaj qasjeje është opozita e cila nëpërmjet një deklarate të Luçiano Boçit akuzoi qeverinë se rritja çmimeve do të përkthehet në rritje taksash.
“Nëse aktualisht keni një apartament apo biznes në Tiranë po kaq do të rritet edhe taksa e përvitshme që do paguani. Kjo ndodh sepse janë rritur çmimet e referencës. Rritja e çmimeve fiskale do të sjellë automatikisht rritje të pagesës vjetore të taksës së apartamenteve, të njësive tregtare dhe ndërtesa vetë tjera, pasi taksa llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit”, tha Boçi.
Vendimi i qeverisë nuk prek vetëm çmimin e referencës së apartamenteve, por edhe të bizneseve, për të cilat Boçi thotë sedo të vuajnë edhe më shumë pasojat e kësaj VKM-je tashmë të botuar në fletoren zyrtare.
“Bizneset do preken edhe më shumë, deri në 91 për qind, sepse formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve. Këto taksa janë një ekzekutim i mundësisë për kursim të familjeve shqiptare, shkollim të fëmijëve dhe një tjetër shtysë drejt falimentit për mijëra biznese të vogla”, tha Boçi.
Në zona disa zona të Tiranës që dikur konsideroheshin si lagje ekonomike si Astiri apo Fusha e Aviacionit, qeveria ka bërë një rritje deri me 71% të çmimit të referencës. (A2 Televizion)