Prodhuesi më i madh i vaksinave ndodhet në Indi: Nga prilli do të prodhojmë 100 milionë në muaj

Nga A2 CNN
19 Mars 2021, 09:52 | Bota

Ndërkohë që vendet më të përparuara në botë janë në një betejë të ethshme për të miratuar vaksina të reja kundër pandemisë, dhe prodhuar masivisht ato të licencuara, në Indi gjendet prodhuesi më i madh i tyre.

Bëhet fjalë për Serum Institute, praktikisht motori që ka bërë të mundur gjenerimin e qindra miliona dozave që po shpërndahen në vendin aziatik, por edhe kudo botë.

Serum Institute, edhe pa prodhimin e vaksinave anti-Covid, radhitet te prodhuesit më të mëdhenj në botë të vaksinave, dhe llogaritet që praktikisht dy të tretat e fëmijëve në botë marrin vaksina të prodhuara në laboratorët e tyre.

Nga dhjetori i kaluar, fabrika gjigante po prodhon me licencë vaksinën e krijuar nga AstraZeneca dhe universiteti i Oksfordit, i njohur në perëndim thjesht si AstraZeneca ndërkohë që në Indi ka marrë emrin Covidshield.

Ritmet janë të larta, dhe drejtuesit e kompanisë, familja Poonawalla, një nga më të pasurat në Indi, mendon që brenda prillit ata mund të prodhojnë rreth 100 milionë vaksina në muaj, me objektivin e arritjes së 1 miliard vaksinash brenda vitit.

Në Indi, rreth 36 milionë persona janë vaksinuar deri më tani, ndërkohë që planet janë për të mbrojtur rreth 300 milionë persona brenda stinës së verës.

Një shifër e lartë, por që gjithsesi do të arrijë të mbrojë vetëm një pjesë të një vendi që ka tejkaluar 1.3 miliardë banorët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos