
Kush ishte Gjeneral Majori iranian Qassem Soleimani? Komandanti i Forcave Elitë Quds të Gardës Revolucionare, ka ndihmuar Iranin të luftojë përmes palëve të treta në mbarë Lindjen e Mesme.
Ai nxiste forcat paraushtarake në terren dhe negocionte me udhëheqësit politikë. Qassem Soleimani ishte drejtues i operacioneve klandestine të Iranit jashtë vendit. Ai shihej shpesh në fushëbetejë duke udhëhequr grupe shiite në luftën kundër Shtetit Islamik.
Vdekja e tij të premten nga një sulm ajror ndaj autokolonës së tij në aeroportin e Bagdadit shënoi fundin e një njeriu të mirënjohur në vendin e tij dhe të mbajtur nën vëmendje nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe rivali kryesor i Teheranit, Arabia Saudite.
Bashkë me të u vra një nga komandatët e milicive irakiane, Abu Mahdi al-Muhandis. Të dy shihen si heronj të luftës së Iranit dhe televizioni shtetëror i mbuloi me lëvdata menjëherë pasi u njoftua vdekja e tyre.
Soleimani ngjiti me shpejtësi rangjet e Gardës Revolucionare të Iranit dhe u bë komandant i Forcave Quds, që u shpall nga SHBA organizatë terroriste në 2019-n, si pjesë e një fushate presioni maksimal për të detyruar Iranin të negocionte programin e tij të raketave dhe politikën bërthamore.
Soleimani u përgjigj në atë kohë duke thënë se “çdo negociatë me Shtetet e Bashkuara do të ishte një dorëzim i plotë”. (A2 Televizion)