
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se SHBA e vrau gjeneralin iranian Qassem Soleimani “për të ndalur luftën, jo për ta nisur atë”.
Trump shtoi se “regjimi i terrorit” që kishte vendosur Soleimani përfundoi, ndërkohë që Irani ka premtuar hakmarrje për sulmin ajror amerikan në aeroportin e Bagdadit.
Duke folur në një konferencë për shtyp në resortin e tij në Florida, Trump tha: “SHBA realizoi një sulm preciz që vrau terroristin numër 1 në botë, Qassem Soleimani. Ai po planifikonte sulme ndaj diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë, por ne e kapëm mat dhe e ekzekutuam”.
Ndërkohë, në Twitter një ditë më parë, Trump shkruante: “Gjenerali Qassem Soleimani ka vrarë dhe ka plagosur rëndë mijëra amerikanë dhe po planifikonte të vriste të tjerë, por u kap! Ai ishte përgjegjës direkt dhe indirekt për vdekjen e miliona njerëzve, përfshirë një numër të madh protestuesish të vrarë në Iran. Edhe pse Irani nuk do ta pranojë kurrë, Soleimani urrehej nga populli që në të njëjtën kohë i trembej atij. Iranianët nuk janë aq të dëshpëruar sa duan t’i tregojnë botës udhëheqësit e tyre. Duhet të ishte hequr qafe vite më parë”. (A2 Televizion)