
Nisma “Po për Shqipërinë”, një organizatë partnere e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, risjell edhe një herë për diskutim mungesën e një ligji specifik për referendumet.
Përpjekja është konkretizuar në projektligj, i cili është depozituar në Kuvend me firmën e deputetit Dashimir Shehi. Në një intervistë për A2 CNN, kryetari i LZHK e sheh këtë si një mundësi që qytetarët të ushtrojnë atë që njihet ndryshe si demokracia direkte: “Shpeshherë, kush nuk beson më te demokracia e deleguar, mund të luajë rol si katalizator për të rikthyer besimin dhe kjo është për të rikthyer besimin te qytetarët”.
Projektligji parashikon dy forma të mbajtjes së referendumit, në nivel qendror dhe lokal, por Shehi theksin e vë te përcaktimi i një formule që pengon ata që i cilësoi si abuzues të votës: “Një temë e rëndësishme është numri se kush e vendos për të bërë një referendum, sepse sasia prodhon cilësinë. Kemi përcaktuar 5000 veta për referendumet lokale dhe 20 000 për ato kombëtare, por kjo është diçka që ha diskutim. Duhet një numër firmash që të mos futen akuzuesit aventurierë lokal dhe qendror, por edhe të mos jetë i pengueshëm”.
Pavarësisht ideve që mund të hidhen për diskutim, Kushtetuta kërkon 50 000 firma për mbajtjen e një referendumi dhe kontretizimi i projektligjit kërkon edhe ndyshime të ligjit themeltar të shtetit shqiptar. Një mision ky i vështirë, por jo i pamundur, sipas kryetarit të LZHK: “Kushtetuta jonë është për gjëra fare pa rëndësi dhe gjykoj që ka ardhur dita që Kushtetuta të ndryshohet për gjëra të mëdha, por se si do e shikojmë gjatë debatit”.
Iniciativa ligjore e depozituar në Kuvend parashikon që për referendumet kombëtare të merret edhe mendimi i qytetarëve me banim jashtë vendit. (A2 Televizion)