Thirrjet për përjashtimin e Izraelit, ja kush do të vendosë pjesëmarrësit e Eurovizionit

Nga A2 CNN
26 Shtator 2025, 14:55 | Showbiz

Thirrjet për përjashtimin e Izraelit, ja kush do të vendosë

Organizatorët e garës vjetore të këngës, Eurovision, thonë se vendet anëtare do të votojnë në nëntor për të vendosur se cilat shtete do të mund të marrin pjesë në spektaklin muzikor vitin e ardhshëm, pasi janë shtuar thirrjet për përjashtimin e Izraelit për shkak të luftës në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i Eurovisionit, Dave Goodman, tha të premten se bordi i Unionit Evropian të Transmetuesve, i cili bashkon transmetuesit publikë, u ka dërguar letër anëtarëve duke i njoftuar se votimi do të zhvillohet në një mbledhje të jashtëzakonshme online në fillim të nëntorit.

Shtete si Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Spanja kanë kërcënuar se nuk do të marrin pjesë në garën vjetore të këngës, nëse Izraeli nuk përjashtohet nga gara për shkak të luftës në Gazë, përcjell A2.

Eurovisioni 2026 do të mbahet në maj në Vjenë. Është zakon që fituesi i vitit paraprak të jetë mikpritës i festivalit.

Fitues këtë vit në Bazel, Zvicër, ishte JJ nga Austria me këngën “Wasted Love”.

Eurovision është garë në të cilën këngëtarë nga vende të ndryshme të Evropës, dhe disa përtej saj, garojnë nën flamurin kombëtar me synimin për t’u shpallur kampionë të kontinentit, një lloj Olimpiade e muzikës pop.

Është gjithashtu një arenë ku shpesh pasqyrohen politika dhe rivalitete rajonale. Rusia u përjashtua nga Eurovisioni pasi e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos