
Gjykatat shqiptare do të vendosin nëse shteti ynë duhet të zbatojë ose jo vendimet e marra nga gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar.
Është ky thelbi i projektligjit të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, që pritet të miratohet në sesionin e ardhshëm parlamentar. Drafti i hartuar me ndihmën e misionit Euralius krijon bazën ligjore se si institucionet duhet të veprojnë në momentin që kompani të ndryshme kanë mosmarrëveshje me shtetin shqiptar dhe kërkojnë dëmshpërblim në gjykatat e arbitrazhit.
Projektligji vjen pas padive të shumta që kompani private kanë bërë ndaj shtetit shqiptar. Sipas Ministrisë së Financave, deri në qershor të këtij viti, fatura financiare që qeveria duhet t’u paguajë gjashtë kompanive që kanë fituar të drejtën në arbitrazhin ndërkombëtar vlerësohet në 109,5 milionë euro. (A2 Televizion)