Propozimi jozyrtar i Francës për reformimin e procesit të zgjerimit, diskutohet të martën në takimin e ministrave të Jashtëm në Bruksel. Në një dokument joformal prej 6-faqesh, qeveria e Emannuel Macron sugjeron që 35 kapitujt e anëtarësimit të zëvendësohen me shtatë etapa.
Për të kaluar nga njëra etapë në tjetrën vendi kandidat do të duhet të plotësojë një grup kushtesh, ndër të cilat për shembulli pari është implementimi i ligjeve për ambientin dhe ndër të fundit është integrimi ekonomik. Nëse një nga këto etapa do përmbyllet me sukses, BE do t'i ofrojë vendit përkatës qasje në institucionet relevante, por nëse qeveria e një vendi kandidat shënon regres, BE mund të kthejë procesin në fazën fillestare.
Në një reagim për Deutsche Welle, Ministria e Jashtme gjermane komenton mbi propozimet franceze.
“I njohim sugjerimet e qeverisë franceze për reformën e zgjerimit të BE-së. Ne jemi të hapur për të diskutuar për përmirësimin e procedurave te zgjerimit për sa kohë që kjo nuk vonon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. BE tani duhet të mbajë fjalën e saj, sepse kushtet për fillimin e negociatave janë përmbushur” Ministria e Jashtme gjermane.
Dusan Reljic, drejtori i zyrës së Brukselit në Fondacionin Gjerman të Shkencës dhe Politikës (SËP), beson se dokumenti i Francës është një përpjekje për të minimizuar dëmet e shkaktuara nga refuzimi për të dhënë dritën e gjelbër ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
"Natyrisht, Parisi është i befasuar nga kritikat e ashpra për frenimin e procesit të zgjerimit. Kritikat erdhën nga të gjitha anët dhe shumica e tyre e quajtën "gabim katastrofik", u shpreh Dusan Reljic.
Diplomatët e BE kanë reaguar pjesërisht ashpër, thotë Deutsche Welle, duke vënë në pikëpyetje vullnetin e francezëve për të pranuar vende të tjera në BE. Përveç kësaj, në dokumentin francez, kërkohet jo vetëm reformimi i procesit të anëtarësimit, por i gjithë BE. Kjo sipas tyre, tregon se francezët nuk e kanë shumë seriozisht me Ballkanin. (A2 Televizion)