Një ditë pas protestës së opozitës përballë Kryeministrisë e më pas te Parlamenti, policia ka bërë të ditur se janë shoqëruar në komisariat 55 persona, nga të cilët 27 janë të arrestuar.
Protesta e ditës së shtunë, 13 prill, nisi në orën 18 përballë Kryeministrisë, ku protestuesit çanë kordonin e policisë menjëherë pas fjalës së kreut të PD, Lulzim Basha, duke u ngjitur në derën e Kryeministrisë.
Më pas, ata u zhvendosën pranë Parlamentit, ku pas tentativave për të çarë kordonin e policisë të vendosur edhe atje dhe hedhjes së kapsollave e flakadanëve, policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës e më pas edhe me ujë.
Si pasojë mbetën të lënduar 5 efektivë policie, si edhe 15 protestues. (A2 Televizion)