
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta së bashku me Petrit Vasilin po zhvillojnë një takim në selinë e Partisë Demokratike me Sali Berishën, i cili shoqërohet nga Flamur Noka.
Takimi i Metës me Berishën vjen vetëm disa ditë para protestes së 6 dhjetorit, ku policia ka njoftuar PD se nuk mund ta zhvillojë protestën para Kryeministrisë ku ishte paralajmëruar se do të mbahej. Ndërkohë në deklaratat e përsëritura kreu i PD ka theksuar se protesta do të jetë paqësore dhe se do të mbahet para kryeministrisë, ditë në të cilën pritet të mbërrijnë në Tiranë dhe krerët më të lartë të BE, për të marrë pjesë në samitin me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Më herët, PD refuzoi dhe propozimin e Bashkisë së Tiranës që të vijojnë me planet e protestës së tyre në sheshin “Skënderbej”.
Një ditë më parë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta konfirmoi se do të jetë pjesë e protestës së organizuar nga demokratët. “Më 6 dhjetor ne do të jemi të gjithë për të brohoritur edhe një herë tjetër se do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, një vend të lirë, ku do t’i jepet fund kapjes së shtetit dhe instalimit të mafies në pushtet dhe një vend ku askush të mos e frenojë më aspiratën për integrimin në BE. Ne i jemi shumë mirënjohës Bashkimit Europian që pavarësisht mungesës së plotë të përkushtimit nga ana e qeverisë, për shkak edhe të zhvillimeve më të fundit, mori një vendim për përshpejtimin e integrimit europian të BE-së. Kjo kërkon angazhim të të gjithë forcave të brendshme për të përshpejtuar reformat”, tha Meta.
I pyetur nga A2 CNN se ku do të zhvillohet protesta, për shkak se Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është zonë e vendosur brenda perimetrit të sigurisë së organizimit të samitit, Meta tha: “Siguria në Shqipëri është gjithmonë nën kërcënimin e mafies në pushtet dhe kurrsesi e qytetarëve të lirë të saj. Së dyti nuk është njoftuar protestë për kryetarin e bashkisë, por një manifestim proeuropian që e gjithë Shqipëria dëshiron të japë një mesazh mirënjohjeje për vendimin me rëndësi edhe gjeopolitike të BE-së, për të nxitur Shqipërinë dhe vendet e tjera që të ecin në rrugën e integrimit europian. Dhe në Shqipëri nuk ka asgjë dhe s’duhet të ketë asgjë më të rëndësishme se Kushtetuta dhe mbi Kushtetuta është vetëm populli sovran dhe i lirë”.
Masat për Samitin, 6 dhjetori pushim, kufizime në qarkullim
E marta e 6 dhjetorit do të jetë ditë pushimi për Tiranën. Vendimi është marrë për shkak se do të mbahet në kryeqytet Samitit i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor. Tirana do të blindohet nga masat e sigurisë, pasi do të ketë kufizime edhe për qarkullimin e automjeteve brenda unazës së vogël. nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi Nënë Tereza dhe përreth stadiumit Arena Kombëtare do të aplikohen 16 nivele të sigurisë të Policisë shqiptare në bashkëpunim me protokollin e sigurisë së Brukselit. Godina e Këshillit të Ministrave është parashikuar si plan B për mbajtjen e Samitit, sipas protokollit të kërkuar nga unioni për çdo rast të papritur, çka sipas qeverisë është e pamundur që qytetarët të protestojnë përballë këtij institucioni. (A2 Televizion)