Dhjetëra efektivë policie janë pozicionuar para godinës së Kuvendit, ku do të nisë seanca plenare dhe paralelisht edhe opozita ka paralajmëruar se do të zhvillojë një protestë.
Protesta u paralajmërua që të shtunën e kaluar, ku opozita zhvilloi një tjetër protestë para Kryeministrisë, me kryefjalë kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama për çështjen McGonigal.
Por edhe këtë herë kreu i qeverisë nuk do të jetë në seancë, pasi në orën 17 është parashikuar një konferencë e përbashkët me homologun e Bavarisë, ndërsa më pas kreu i qeverise do të niset për një vizitë në Dubai.
Ndërkohë, një ditë më parë pas takimit me strukturat në Tiranë, Sali Berisha teksa foli për protestën e të shtunës, tha se tani e tutje Kuvendi do të jetë arena e opozitës pasi ky institucion po shndërrohet në antikushtetues dhe po i pret fjalën opozitës. (A2 Televizion)