
Policia e Shtetit ka reagua në lidhje me protestën e organizuar për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha ku u shënuan dhe përplasje mes efektivëve dhe protestuesve.
Në komunikatën zyrtare për shtyp, Policia e Shtetit bën me dije se persona të dhunshmë kanë hedhur sende të forta në drejtim të forcave të rendit duke plagosur 9 prej tyre, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje më të rëndë në spital.
Policia e Shtetit gjithashtu iu bën thirrje organizatorëve, që bënë thirrje në rrjetet sociale për t'u grumbulluar në protestë, të marrin masa për të ndaluar thirrjet për dhunë.
“Ekstremistë të dhunshëm kanë hedhur sende të forta, gurë, pllaka, kapsolla e sende të tjera, duke plagosur 9 punonjës policie dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin Skënderbej.
Si pasojë e plagëve të marra, 3 punonjës policie janë në gjendje më të rëndë në spital, pasi kanë dëmtime serioze në kokë dhe në trup, të shkaktuara nga sulmi me sende të forta nga protestuesit, ndërsa 6 punonjës policie janë në gjendje më të stabilizuar. Edhe disa mjete policore u dëmtuan me sende të forta.
Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve, të cilët kanë bërë thirrje sot në rrjetet sociale për t'u grumbulluar në protestë, të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar thirrjet për dhunë, pasi dhuna do të përballet me përgjigjen ligjore të Policisë së Shtetit”, shkruhet mes të tjerash në njoftimin e policisë. (A2 Televizion)