
Gjimnazistët kanë edhe dy muaj kohë përpara se te të zhvillojnë provimet e maturës. Orientimi i degës së studimit për maturantët është mjaft i rëndësishëm.
Përpos konsultimeve, shumicës prej tyre u vjen në ndihmë për të vendosur zyra e karrierës pranë shkollës. Tashmë disa e kanë të qartë se cilin universitet do të ndjekin.
Tërmeti dëmtoi disa shkolla duke i shpërngulur nxënësit në të tjera gjimnaze, e më pas pandemia kushtëzoi prezencën në klasa. Edhe për arsimtarët ka qenë e vështirë t’u rikuperojnë dijet e munguara nxënësve.
“Ka pasur vështirësi, sigurisht që periudha e pandemisë e ka shtuar. Për këtë ne kemi filluar më herët lëndët bërthamë, sepse lëndët me zgjedhje janë më tepër ato nxënës që janë të fokusuar”, thotë për A2 CNN Majlinda Ziu, drejtoresha e gjimnazit "Sami Frashëri".
E teksa në gjimnaze përgatiten për fazën finale, në zyrat e Qendrës së Shërbimeve Arsimore ka nisur përpilimi i tezave dhe është menduar një vlerësimi përforcuar i rezultateve.
“Do të angazhohen në QSHA edhe mësues me përvojë që do të vlerësojnë cilësinë e pyetjeve. Përgjigjet e nxënësve do të vlerësohen sipas sistemit elektronik, ato të hapura nga dy vlerësues të pavarur nga njëri tjetri, dhe kur nuk bien dakord thërrasin në vlerësim një vlerësues të tretë, që gjendet në sallë”, shpjegon Agim Alia, drejtor i Drejtorisë së Vlerësimit
Menaxhimi i procesit të provimeve dhe ulja e fiktivitetit të notave mbeten sfidat kryesore të institucioneve arsimore, ndaj dhe vitet e ardhshme matura shtetërore do të reformohet. (A2 Televizion)