
“Po sikur të shtyjmë zgjedhjet?”. Mesazhi në Twitter i Donald Trump po turbullon sërish dinamikat politike në SHBA.
Presidenti amerikan, duke akuzuar votat me postë, metodë kjo e përdoruar prej kohësh në Shtetet e Bashkuara, deklaroi se një votim që të ndodhte ekskluzivisht me këtë mënyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit “do të ishte i pasaktë dhe i pandershëm, do të ishte një turp për Shtetet e Bashkuara. Nuk do të ishte më mirë sikur zgjedhjet të shtyheshin dhe të pritej momenti ku të gjithë mund të votonin në mënyrë të sigurt?”.
Mesazhi mori replika të panumërta, sepse në SHBA shtyrja e zgjedhjeve është një tabu i pa kapërcyer, i vendosur dy shekuj më parë nga presidenti John Tyler, i cili zgjodhi të martën e parë të nëntorit si ditën zgjedhore, dhe kjo traditë është respektuar edhe në kohë lufte.
Teorikisht, gjithsesi, është Kongresi dhe vetëm ai që mund të vendosë një shtyrje, dhe kjo do të shkonte ndesh një date tjetër të “shenjtë” në politikën amerikane, 15 janari kur presidenti pashmangshmërisht dorëzon mandatin e njeriut më të fuqishëm në botë.
Nga analistët, hipoteza e Trump më shumë gjykohet si një provokim dhe një mënyrë për mos të pranuar verdiktin në rast humbje, në një moment ku sondazhet tregojnë një diferencë rreth 8 pikë nga kandidati demokrat Joe Biden, por edhe për të “harruar” se të dhënat e tremujorit të ekonomisë për shkak të pandemisë tregojnë shifra dramatike, me GDP që zbret me 32.9%. Rezultati më i keq, ky, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. (A2 Televizion)