
Rahim Spahiu, i Partisë Socialiste, është kryetari i ri i Bashkisë së Dibrës, pasi fitoi zgjedhjet e pjesshme vendore në këtë bashki.
Spahiu mori 13 995 vota, duke lënë pas me diferencë të madhe votash kandidatët Premtim Kryemadhi dhe Luan Haka.
Kryemadhi, përfaqësues i koalicionit "Shtëpia e Lirisë", mori vetëm 4478 vota, ndërsa Haka, i Partisë Demokratike, mori vetëm 4437 vota.
Deri tani, PS-ja ka fituar katër bashki, nga gjashtë në të cilat garohej. Përveç Dibrës, PS mori edhe Vorën, Lushnjën dhe Rrogozhinën. Edhe në Durrës, kryeson kandidatja socialiste, Emirjona Sako, ndërsa në Shkodër, kandidati i "Shtëpisë së Lirisë", Bardh Spahia. (A2 Televizion)