Çmimet e banesave në rang vendi është rritur me 39% brenda një viti, sipas matjeve të Bankës së Shqipërisë. Tirana është qyteti që ka udhëhequr këtë shtrenjtim të pasurive të paluajtshme, ku tashmë çmime që dikur konsideroheshin të larta, si1 mijë euro për metër katror, sot janë standard në treg.
Kulla, godina dhe komplekse të reja banimi po ndërtohen në Tiranë në këtë periudhë krize, kur çmimet e materialeve të ndërtimit janë rritur ndjeshëm. Kostoja e ndërtimit të një pallati përcaktohet nga disa faktorë: që nga materialet e ndërtimit, tek pagat e punonjësve, makineritë, energjia dhe karburanti, çmimi i truallit dhe lejes së ndërtimit, e deri tek shpenzimet e tjera ku mund të përfshihet edhe projekti.
Çdo element që cakton çmimin për metër katror është shtrenjtuar, sipas sekretarit të përgjithshëm të Shoqatë së Ndërtuesve Arben Dervishi, duke nisur nga materialet. Por materialet dhe transporti nuk janë të vetmet kosto në rritje. Forca punëtore ka një tendencë të lartë emigrimi në vende si Gjermania, ku paga minimale fillon nga 12 euro për orë dhe kjo ka ndikuar në rritjen ndjeshme të pagesave në Shqipëri, për punëtorët e krahut, por edhe për specialistët.

Një element që mund të shihet pozitivisht për ndërtuesit në vend është rënia e euros, që redukton disi buxhetin që shkon për blerjen e materialeve që importohen nga jashtë, por derisa apartamentet apo objektet shiten sërish në euro, përfitimi nuk është domethënës sipas Arben Dervishit, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve.

Kostoja e një metri katror sot përllogaritet nga 500 deri në 2000 euro, me shumë faktorë që ndikojnë tek çmimi: nga cilësia e materialeve, tek çmimi i truallit, projekti dhe mbi të gjitha rifiniturat. Në krahun më të shtrenjtë të këtyre çmimeve qëndrojnë ndërtesa më cilësore me standarde më të larta: nga cilësia e punimeve, tek izolimit termik dhe akustik, vetratat e xhamit e deri tek materialet e arredimit të brendshëm. (A2 Televizion)