Pse po zhduken kriminelët e burgosur pa gjyq?!

Nga A2 CNN
31 Maj 2023, 13:08 | Bota

Të paktën 153 të burgosur në El Salvador u torturuan dhe u vranë në paraburgim, pasi ishin arrestuar pa gjyq. Të paktën kështu pretendon një raport i fundit nga grupi i të drejtave të njeriut, Cristosal.

Të gjithë këto viktima nuk ishin dënuar për krimin që akuzoheshin se kishin kryer në momentin e arrestimit. Mes viktimave janë edhe 4 gra. Në raport theksohet se të burgosurit kanë humbur jetën si pasojë e torturave sistematike.

Në fillim të këtij viti, El Salvadori hapi një burg gjigant për të strehuar deri në 40 mijë anëtarë të bandave kriminale. Të gjithë ata që dërgohen aty, të cilët zakonisht janë anëtarë të bandave kriminale që veprojnë në El Salvador, por edhe SHBA-ja dhe shtete të tjera përreth, flenë në qeli të vogla, pa dritare dhe në krevate pa dyshekë.

Kush janë bandat e El Salvadorit?

Në vitet e fundit, më shumë se 100 mijë banorë të El Salvadorit janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të kërcënimit nga bandat e rrugëve. Në fillim të muajit, ata u përpoqën të merrnin në dorë karantinën, duke përdorur shkopinj dhe kërcënime ndaj njerëzve që dilnin nga shtëpitë.

Dy bandat kryesore janë “Barrio 18” dhe “Mara Salvatrucha”, e njohur ndryshe si  MS-13. Të dyja bandat janë të përbëra kryesisht nga ish-emigrantë në SHBA, të deportuar në El Salvador. MS-13 u themelua fillimisht në Los Anxhelos, për t’u përhapur më pas në qytete të tjera, por edhe në Meksikë, Kanada dhe Amerikën Qendrore në vitet 1970 dhe 1980.

Shumica e pjesëtarëve janë nga Amerika Qendrore, veçanërisht nga El Salvadori. Ato shquhen për mizorinë ndaj bandave të tjera, por edhe njerëzve të zakonshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos