
Bordi i Transparencës publikoi çmimet e reja të karburanteve, që nisin të zbatohen nga kjo e martë, në orën 18:00.
Çmimet e reja
Nafta: 184 lekë/litri me pakicë, 172 lekë/litri me shumicë
Benzina: 186 lekë/litri me pakicë, 174 lekë/litri me shumicë
Gazi: 75 lekë/litri, 63 lekë/litër për automjetet.
Nafta për peshkim: 90 lekë/litri
Bordi i Transparencës, 28/03/3023
Bordi i Transparencës në Gjykatën Kushtetuese
Ekzistenca e Bordit të Transparencës është quajtur një domosdoshmëri nga qeveria, për të shmangur rritjen e pakontrolluar të çmimit të karburanteve, si pasojë e luftës në Ukrainë. Por ai është kundërshtuar nga opozita dhe disa ekspertë të ekonomisë.
Më 9 mars, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e 29 deputetëve të Partisë Demokratike për të shfuqizuar Bordin e Karburanteve. Përfaqësuesi ligjor në seancë i grupimit të deputetëve të opozitës, Marash Logu, argumentoi para trupës gjykuese se kushtet, argumentet dhe baza ligjore me të cilën u miratuan aktet normative me fuqinë e ligjit marsin e vitit të shkuar për ngritjen e Bordit, përveç se janë antikushtetuese, cenojnë konkurrencën në treg.
“Paraqitëm qartësisht se është në cenim të të drejtës kushtetuese. Është një cenim të thellë të mbrojtjes së interesave të qytetarëve, me çmimet abuzimeve për qytetarët. Një bord publik privat. I jashtëzakonshëm i pa parë në asnjë vendimmarrje të vendeve të tjera. Bëhen edhe pjesë e bordit të qeverisë. Çmimet e karburantit kanë qenë të jashtëzakonshme më të larta në 30 vite. Në dëm të interesave të qytetarëve. Ky projektligj duhet të shfuqizohet.”
Përfaqësuesit e Autoritetit të Konkurrencës, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë, argumentuan në seancë se ngritja e Bordit të Karburanteve erdhi si nevojë e diktuar nga lufta në Ukrainë dhe se në mungesë të tij, çmimet mund të ishin shumëfish më të shtrenjta.
Në mungesë të përfaqësuesve nga Kuvendi, anëtarët e “Kushtetueses” pas serive të pyetjeve kërkuan nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe institucioneve informacione shtesë për t’i shqyrtuar deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Çfarë thotë qeveria për Bordin e Transparencës?
Më 22 shkurt, trupa e Gjykatës kushtetuese vlerësoi si të papajtueshëm me ligjet e vendit ngritjen e Bordit për Caktimin e Disa Kategori Ushqimesh duke vendosur shkrirjen e tij. Në përpjekje për të ndërtuar një paralele me vendimin e mëhershëm, përfaqësuesit e grupit të deputetëve demokratë deklaruan pritshmëri për vendimmarrje të ngjashme edhe për Bordin e Karburanteve të ngritur më 12 mars të vitit të shkuar.
E pyetur se çfarë do të bëjë qeveria me Bordin, më 3 mars, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Është duke u diskutuar në Gjykatën Kushtetuese. Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të vijojmë të veprojmë”, tha ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat pas mbledhjes së qeverisë. “Megjithatë i qëndroj asaj që kam përsëritur: Ndërhyrja e qeverisë ishte e detyruar nga kushtet që ne ndodheshim. Shifrat tregojnë se ndërhyrja jonë ka qenë efektive në reduktimin e marzhit të fitimit të kompanive”, tha Ibrahimaj.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi Bordin e Ushqimeve
Më 22 shkurt, Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e disa depuetëve të PD për rrëzimin e Bordit të Transparencës për Ushqimet. Në seancën plenare, Kushtetuesja vlerësoi se aktet normative “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës.
Bordi i Ushqimeve hyri në fuqi më 1 prill të vitit të shkuar dhe detyra e tij ishte monitorimi i çmimeve të produkteve të shportës dhe përcaktimin e marzheve të fitimit të bizneseve të këtij sektori. (A2 Televizion)