
Një tjetër ditë tragjike për Spanjën, e cila ka regjistruar 757 vdekje në 24 orët e fundit për shkak të koronavirusit, sipas shifrave më të fundit të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë atje. Një ditë më parë, numri i viktimave ishte 743, duke shënuar kështu një rritje të lehtë.
Në total, numri i viktimave në Spanjë ka shkuar 14555 persona, ndërsa rastet e konfirmuara janë 146690. Ministria e Shëndetësisë njoftoi gjithashtu se prej tyre, 48021 persona janë shëruar.
Pas dështimit të bisedimeve mes ministrave të Financave të vendeve të Bashkimit Europian, dhe përballë këtyre shifrave, zëdhënësja e qeverisë, Maria Montero tha: “Kemi nevojë për ndihmë nga shtetet e tjera, prandaj u ndërtua edhe Bashkimi Europian”.
Franca kaloi të martën barrierën e 10 mijë viktimave nga koronavirusi i ri. Sipas të dhënave, mbi 1400 vdekje u shënuan në 24 orë, bilanci më rëndë i një dite, në një shtet europian. Presidenti Emmanuel Macron pritet t’i drejtohet vendit me një fjalim lidhur me krizën e koronavirusit. Qyteti i Parisit ndaloi çdo aktivitet sportiv nga ora 10 deri në 19, pas numrit tështuar të njerëzve nëpër rrugë gjatë fundjavës, ndërsa në Biarritz ndalohet ulja në stola më gjatë se dy minuta.
Gjermania raportoi rritje të rasteve për të dytën ditë radhazi, pas 4 ditësh rënie. Të prekurit janë 4000 mijë më shumë për një total prej mbi 103 mijë rastesh. Mbi 250 persona të tjerë humbën jetën 24 orët e fundit, duke e çuar bilancin e viktimave në mbi 1800. Belgjika raporton rënie të rasteve, dhe mbi 200 të vdekur në 24 orë. (A2 Televizion)