Punuesit e çadrave të plazhit, artizanët që zbukurojnë bregdetin e Shqipërisë

Nga A2 CNN
12 Qershor 2023, 10:08 | Lifestyle
Punuesit e çadrave të plazhit, artizanët që

Familja Shoshari nga Bilishti, prej muajit shkurt po jeton dhe punon në Arapaj të Durrësit. Ata janë mjeshtra të punimit të çadrave të kashtës dhe produkteve të tjera dekorative për sezonin e turizmit.

Edi Shoshari e trashëgoi këtë profesion nga të parët e tij, ndërsa sot drejton punën e familjes.  

“Shqipëria, si një vend turistik, është një mall që kërkohet shumë. Turistët e kanë shumë qejf si çadër. Ne e punojmë me kallama dhe me bar të egër si dekorativ. Një çadër e vogël kërkon dy orë kohë të punohet, çadrat e mëdha duan 6 orë. Një fillestar do 3 muaj praktikë që ta bëjë këtë punë. Ka pak vështirësi. Kam 16 vite që punoj. Unë profesionin e kam mësuar në Greqi, por edhe nga pleqtë, e kemi trashëgimi”, tha Edi Shoshari. 

Përveç çadrave, Edi së bashku me familjen bëjnë edhe punime të ndryshme dekorative, kryesisht në shërbim të turizmit.  

“Bëjmë abazhurë të mëdhenj dhe të vegjël. Punojmë edhe bazë për beach-bar. Unë punoj me familjarët, farefisin, marrim dhe punëtorë. Gjithmonë i marrim nga dora rome, pasi ia dinë më mirë. Kemi pasur edhe punëtorë të dorës së bardhë. Ne do t’ua mësojmë dhe brezit të ri”, thotë punuesi i çadrave.

E në fakt mësimet e para kanë nisur që tani. Më të vegjlit e familjes merren me punë ndihmuese të ndryshme.

“Klientë të rregullt kemi pronarët e hoteleve, por kemi dhe porosi nga pushtetarët. Marrin edhe politikanët çadra, por i duan pak më luksoze. Në sezon prodhojmë 2 mijë, 3 mijë çadra. Një çadër kushton 45-60 mijë lekë të vjetra. Çadrat e luksit, për politikanët kushtojnë deri në 250 mijë lekë të vjetra”, rrëfen artizani.

Punime të tillë artizanale janë të destinuara të shiten më së shumti në Shqipëri. Edi Shoshari dëshiron që punën e tij ta eksportojë edhe në Europë, por ai thotë se ende nuk ka marrëveshje ndërqeveritare për këtë produkt.

E sigurt është që ky zanat nuk do të zhduket, dhe në plazhe do të ketë gjithmonë çadra të punuara me kallama dhe kashtë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos