
Lufta dhe tensioni nuk po ndihet vetëm brenda territorit të Ukraninës, por edhe përtej kufirit rus.
Klejvis Verteniku është një i ri shqiptar që studion në qytetin e Rostovit. Ndonëse autoritetet përpiqen ta pasqyrojnë situatën si të qetë, zhurma e shpërthimeve dhe era e tymit janë ndier që kur ushtarët rusë mësynë drejt Ukrainës. Qyteti është izoluar, nga i cili as nuk hyhet e as nuk dilet.
“Jemi në gjendje emergjence, ka forca të shtuara të sigurisë. Bankat nuk punojnë dhe është e vështirë dhe për ne të huajt të tërheqim para. Ka pasur shpërthime në zona ushtarake”, tregon Klejvisi.
Ndonëse në shtet-rrethim, Rostovi është parë nga ukrainasit si strehim për t’i shpëtuar bombardimeve.
“Që nga dita e parë kanë hyrë shumë refugjatë ukrainas dhe rusë, janë pritur e strehuar sipas ligjit”, shprehet studenti shqiptar.
Edhe në Rostov qytetarët janë përpjekur të bëjnë të njëjtën thirrje për të ndalur luftën.
“Ashtu si në qytete të tjera edhe këtu kanë protestuar, ka pasur arrestime dhe janë shprehur kundër luftës dhe që situatë të zgjidhet me dialog”, shtoi ai.
Sa i përket shokëve të tij ukrainas, Klejvis thotë se me ata që kanë ikur nga Rostovi para luftës është e vështirë të komunikosh, ndërsa të tjerë të rinj po mendojnë të rikthehen në vendlindje pranë familjeve të tyre, edhe pse Ukraina nuk është një strehim i sigurt prej 24 shkurtit. (A2 Televizion)