Ministria ruse e Mbrojtjes ka publikuar të premten pamje nga Berbyanske, një qytezë e vogël në brigjet e Detit Azov, i cili, sipas tyre ka rënë nën kontrollin e forcave ruse. Ndonëse prej më shumë se një jave, Rusia e ka pushtuar Ukrainën, ajo pretendon se po kryen atje një “operacion special”, madje thotë se po dërgon ndihma humanitare në zonat e marra nën kontroll.
Ukraina ka pranuar deri tani se vetëm qyteti Kherson ka rënë nën pushtimin rus, ndërsa po luftohet edhe në zona të tjera. Mariupoli është nën sulm të vazhdueshëm, ndërsa 47 persona raportohet të kenë vdekur nga një sulm rus në qytetin verior Chernihiv. Objektivi i radhës është Mykolaiv dhe Odessa. Luftime ka edhe në Kharviv dhe rrethinat e Kievit, dy qytetet më të mëdha të Ukrainës, ku rezistenca vendase ka prishur planet e Putin për një pushtim të shpejtë.
Të premten në mëngjes, forcat ruse kanë marrë kontrollin e impiantit më të madh bërthamor në Europë, thonë autoritetet ukrainase. Luftimet në centralin Zaporizhzhia, ku ra edhe një zjarr, u dënuan nga Perëndimi. Presidenti i Ukrainës, Zelensky, tha se sulmi mund të kishte shkaktuar pasoja gjashtë herë më të mëdha se sa shpërthimi në Çernobil, i ndodhur në vitin 1986. (A2 Televizion)