Putin akuzon Perëndimin: Janë gati të nxisin revolucion e gjakderdhje në çdo shtet

Nga A2 CNN
30 Shtator 2022, 10:55 | Bota
Putin akuzon Perëndimin: Janë gati të nxisin revolucion e

Presidenti rus, Vladimir Putin, akuzoi Perëndimin duke thënë se është gati të nxisë “revolucione shumëngjyrëshe” dhe “gjakderdhje” në çdo vend, por pa përmendur një shtet specifik. Deklarata e tij erdhi teksa ju drejtohej krerëve të shërbimit të inteligjencës të disa vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik.

“Duke ndjekur synimet e tyre, kundërshtarët tanë gjeopolitikë, janë të përgatitur të vënë këdo, çdo vend, në vijën e zjarrit; për ta kthyer atë në epiqendër të një krize; për të provokuar një "revolucion me ngjyra" dhe "një gjakderdhje". Ne i kemi parë të gjitha këto në më shumë se një rast. Ne gjithashtu e dimë se Perëndimi punon në skenarë për të nxitur konflikte të reja në zonën e Komunuelthit të Shteteve të Pavarura të ish-Bashkimit Sovjetik. Por ne duhet të themi mjaft. Ju duhet të shikoni se çfarë po ndodh tani midis Rusisë dhe Ukrainës, çfarë po ndodh në kufijtë e disa vendeve të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik”, tha Putin.

Në një hap që pritet të përshkallëzojë rrezikshëm luftën në Ukrainë, Putin zyrtarizon sot aneksimin e 4 rajoneve të tjera, siç bëri me Krimenë në vitin 2014. Ceremonia e nënshkrimit është parashikuar të mbahet në orën 14 në pallatin e Kremlinit dhe vjen pas referendumeve 5-ditore në rajonet e pushtuara, të konsideruara të paligjshme nga Kievi dhe perëndimi.

Ndërsa Ukraina thërret këshillin e sigurisë, lideri rus firmosi në orët e para të së premtes një dekret për shpalljen e pavarësisë së Zaporizhias dhe Kherson si territore te pavarura. Një hap të tillë, Putin e kishte ndërmarrë për Luhansk dhe Donjetsk në prag të nisjes së fushatës së agresionit në shtetin fqinj. Në dokumentet e publikuara në median shtetërore ruse, thuhet se pavarësia e dy rajoneve po njihet në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sipas kartës së OKB-së. Sakaq Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të votojë sot një rezolutë, me të cilën dënon referendumin e aneksimit, e hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria. Dokumenti ka pak gjasa të miratohet për shkak të vetos ruse, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos