
Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar që ministritë e shëndetësisë të vendeve të Grupit të 20 të adresojnë menjëherë çështjen e njohjes reciproke të certifikatave kombëtare të vaksinimit COVID-19.
Putini e bëri propozimin në një video-mesazh për G20 më 30 tetor, në të cilin ai u ankua për mungesën e njohjes ndërkombëtare për vaksinën ruse Sputnik V, duke kërkuar që samiti i G20 në Romë të diskutojë njohjen reciproke të vaksinave dhe certifikatave të vaksinimit "sa më shpejt të jetë e mundur."
Putin tha se, pavarësisht vendimeve të G20, "jo të gjitha vendet në nevojë mund të kenë akses në vaksinat kundër COVID".
Ai tha se kjo ndodh për shkak të konkurrencës së pandershme, proteksionizmit dhe për shkak se disa shtete, veçanërisht ato të G20, nuk janë gati për njohjen reciproke të vaksinave dhe certifikatave të vaksinimit.
Komentet e Putinit u transmetuan në televizionin shtetëror rus pasi liderët e G20 ranë dakord të rrisin përpjekjet globale të vaksinimit.
Në fillim të këtij muaji, Afrika e Jugut refuzoi të miratojë vaksinën ruse pavarësisht nevojës së vendit për vaksina. Vaksinës ruse Sputnik V i mungon miratimi nga enti rregullator në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. (A2 Televizion)