Putin i dënuar për krime ndaj njerëzimit, “njollë në biografi, por arrestimi i parealizueshëm”

Nga A2 CNN
21 Mars 2023, 21:27 | Bota
Putin i dënuar për krime ndaj njerëzimit, “njollë

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër arresti të bujshme ndaj presidentit rus Vladimir Putin, për ngjarje të shumta të raportuara në Ukrainë nga shkurti i vitit të kaluar, në veçanti për atë që cilësohet si depërtim me forcë, për disa rrëmbim i mirëfilltë, i qindra të miturve në atë vend.

Sipas ekspertit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ilir Kalemaj, efektet, edhe pse jo afatshkurtra, nuk do të jenë të papërfillshme.

“Urdhër- arresti nuk është vetëm një njollë në biografi, por e pengon Putin edhe në aktivitete diplomatike, si dhe i kufizon lëvizjet, por kjo nuk do të thotë që nesër ai do të arrestohet. Kur kjo ka ndodhur diktatorëve si Miloshevic, pasojat konkrete kanë ardhur pasi ata kanë rënë nga pushteti”.

Kalemi nënvizon edhe një paradoks. “Janë 123 vendet që kanë pranuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale, por jo Kina dhe Shtetet e Bashkuara, kështu që paradoksalisht Putin mund të bëj një vizitë zyrtare në Uashington pa asnjë risk”, thotë ai në ”Debat”.

Sipas Dritan Hotit, pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, “me qëllim që Putini të gjykohet ai duhet të përmbyset nga pushteti, por pasardhësit do ta dorëzonin atë pranë instancave të Gjykatës, sepse është akt që ka simbolikë të fortë morale, një akt juridik i justifikuar por i parealizueshëm. Është hera  e parë që një vend që bën pjesë te Këshilli i Sigurimit akuzohet për krime ndaj njerëzimit. Por ndalimi është i parealizueshëm, sepse pasuesit e tij do të preferonin eliminimin e tij fizik më shumë se dorëzimin në Gjykatë”.

Ndërkohë Putin po takon në Moskë homologun e tij kinez Xi Jinping. Sipas Kalemajt, “po ndodhin gjera interesante gjeopolitike. Xi në mënyrë të paprecedentë është zgjedhur për herë të tretë. Lëvizjet kanë qenë të shumta, nga ai moment, i kulmuar me marrëveshjen në ombrellën kineze të dy ish rivaleve Iran dhe Arabi Saudite. Kina jo vetë ka ofruar 14 pika për negociata me Ukrainën por u shpreh se Kina dhe Moska do të jenë partnerë kryesorë ekonomike dhe ushtarake, duke premtuar se do të jenë rojet e së drejtës ndërkombëtare”.

Por mes dy fuqive ka diferenca. ”Kina dhe Rusia janë vende revizioniste, për sa i përket trendit botëror por ndryshon nuanca. Nëse Rusia kërkon një pol sllav ku kombinohet religjioni dhe etnia, Kina ka ende nevojë ende për një kapitalizëm liberal sepse është tashmë i integruar në atë sistem. Ata përbejnë një tandem ideologjik, por besoj se mund të kemi asistencë për sa i përket teknologjisë, nuk ushtarë kinez aty, dhe Pekini i afrohet Moskës në mënyrë pragmatike dhe superioriteti”, shtoi Hoti.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos