
“Për herë të parë që prej krizës së raketave nga Kuba, duhet të përballemi me kërcënimin e apokalipsit bërthamor”. Alarmi vjen drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan, Joe Biden. Kreu i Shtëpisë së Bardhë duke folur në një event për mbledhjen e fondeve për fushatën elektorale të kandidatëve demokratë për zgjedhjet e mesmandatit, tha se rreziku i përdorimit të armëve bërthamore ekziston, pasi lufta në Ukrainë po shkon shumë keq për Putin, por edhe për faktin se aktualisht nuk ka një rrugëdalje për Rusinë nga kjo përballje.
“Nuk na është dashur të përballemi me apokalipset që prej kohës së Kennedy dhe krizës së raketave nga Kuba. Por tani është një person që e njoh tepër mirë. Ai nuk po bën shaka, kur flet për përdorimin e mundshëm të armëve taktike bërthamore, biologjike ose kimike, pasi ushtria e tij, si të thuash, po ofron një paraqitje shumë më të ulët nga pritshmëritë”, tha Biden.
Presidenti amerikan shtoi se Putin mund të zgjedhë të përdorë armët bërthamore në tentativë për të dalë nga lufta dhe paralajmëroi se diçka e tillë do ta bënte situatën edhe më të komplikuar, në një skenar që nuk përfundon ndryshe përveç se në apokalips. “Duam të kuptojmë se cila është pika e kthesës për Putinin? Si do ta gjejë ai rrugëdaljen, me të cilën nuk do humbasë krenarinë, por edhe një pjesë domethënëse të pushtetit të tij në Rusi”.
Pavarësisht alarmit të presidentit Biden, zyrtarë të qeverisë së tij amerikane, konfirmojnë se deri tani nuk kanë dëshmuar ndonjë lëvizje në arsenalin bërthamor të Rusisë. Uashingtoni po monitoron me kujdes situatën, pas kërcënimit të Putin ditëve të kaluara, se do të përdorë çdo mjet në dispozicion për të mbrojtur qytetarët e tij, përfshirë dhe armët bërthamore. Rreziku i lëshimit të tyre konsiderohet edhe më i lartë tani, pasi Rusia i konsideron si shtetas të saj edhe banorët e katër rajoneve të aneksuara ilegalisht nga Ukraina. (A2 Televizion)