Në mesin e një lufte, Rusia përkujton fundin e një tjetre. Në Sheshin e Kuq të Moskës u mbajt parada e përvitshme ushtarake për Ditën e Fitores, kur ish Bashkimi Sovjetik mposhti Gjermaninë Naziste më 9 majtë vitit 1945 në Luftën e Dytë Botërore. Ndryshe nga se pritej, nga presidenti Vladimir Putin nuk erdhi asnjë njoftim i madh. Gjatë fjalimit, në nisje të paradës, ai e konsideroi NATO-n një kërcënim të dukshëm dhe pretendoi se perëndimi nuk i la asnjë opsion tjetër përveç se të sulmonte Ukrainën.
“Vendet e NATO-s nuk donin të na dëgjonin. Kjo la të kuptohej se ata kishin plane krejtësisht të tjera. Haptazi, po përgatiteshin për një tjetër operacion ndëshkues në Donbas, për një pushtim të tokave tona historike, përfshirë Krimenë. Kievi njoftoi për një blerje të mundshme të armëve bërthamore. Blloku i NATO-s filloi të eksploronte tokat afër nesh. Ky ishte një kërcënimi absolutisht i papranueshëm i krijuar sistematikisht për ne dhe pikërisht në kufijtë tanë”, tha Putin.
Një mesazh të drejtpërdrejte lëshoi dhe për ushtarët që luftojnë në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas, të cilin Rusia është zotuar ta “çlirojë”. “Ju po luftoni për atdheun, për të ardhmen e tij, që askush të mos harrojë mësimet e Luftës së Dytë Botërore. Që të mos ketë vend në botë për xhelatët, ndëshkuesit dhe nazistët”, tha Putin.















Duke iu drejtuar një ushtarakëve të gradave të ndryshme në Sheshin e Kuq në 77-vjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste, Putin lëshoi dhe akuza të drejtpërdrejta për Uashingtonin duke theksuar se Moska nuk do u bindet vlerave të tyre. “Rusia është ndryshe. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga dashuria jonë për atdheun, besimi jonë dhe vlerat tradicionale, zakonet tona stërgjyshore, respekti ynë për të gjithë popujt dhe kulturat. Në perëndim duket se kanë vendosur t’i anulojnë këto vlera mijëvjeçare. Ky degradim moral është bërë baza e falsifikimeve cinike të historisë së Luftës së Dytë Botërore”.
Megjithatë fjalimi i tij prej 11 minutash, në ditën e 75 të luftës, u shënua më shumë nga ajo që Putin nuk tha. Presidenti rus nuk përmendi Ukrainën drejtpërdrejtë, nuk dha asnjë vlerësim për ecurinë e luftës dhe nuk tregoi se edhe për sa gjatë ajo do të vazhdonte. (A2 Televizion)