Pylli i "Bukuroshes së fjetur" po vdes

Nga A2 CNN
4 Tetor 2021, 11:27 | Lifestyle

Nga kalaja në zemër të pyllit “Bukuroshja e Fjetur”, në Gjermaninë qendrore, mund të dallohet lehtësisht një peizazh i harlisur me bimë, por në fshatin pak më poshtë, shtrihen toka të zhveshura djerr. Peter Meyer, punonjës në Institutin e Kërkimeve Pyjore të Gjermanisë, shpjegon për CNN atë çka po ndodh me këtë fenomen. Pemët e larta, bimët e rralla, thotë ai, janë dëmtuar nga insektet që “lulëzojnë” si pasojë e ndryshimit të klimës.  

Gjermania ka vuajtur vitet e fundit nga thatësira dhe viti 2018 ishte më i nxehti, por në pjesë të tjera të vendit, këtë verë, shiu ka shkaktuar përmbytje vdekjeprurëse. Kriza po ndihet në shumë pjesë të Gjermanisë dhe pyjet përrallore të vendit, nuk bëjnë përjashtim. Të gjitha këto ngjarje e vënë kancelarin e radhës të Gjermanisë përballë një krize klimatike.

Zgjedhjet në Gjermani

Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë do të përballet me një listë të madhe sfidash klimatike edhe për faktin pasi ky shtet po synon përdorimin e burimeve të rinovueshme; zëvendësimin e makinave me motor me djegie me ato elektrike; si dhe përfundimin e tubacionit të diskutueshëm "Nord Stream 2", i cili sjell gaz nga Rusia në Gjermani nën Detin Baltik.

Zgjedhjet erdhën vetëm disa muaj pasi përmbytjet shkatërruese në Gjermaninë perëndimore përmbytën qytete të tëra dhe vranë më shumë se 180 njerëz. Në ekstremin tjetër të motit, gjermanët pësuan dy vjet thatësirë ​​ekstreme në 2018 dhe 2019. Të gjitha këto ngjarje kanë bërë që shumë të pyesin se si Gjermania do të përmbushë objektivat e saj për reduktimin e emetimeve. Vendi ka premtuar një ulje 65% të emetimeve deri në vitin 2030, në krahasim me nivelet e vitit 1990.

E ashtuquajtura "Kancelarja e Klimës", Angela Merkel, ka mbështetur synimet ambicioze të zvogëlimit të emetimeve, ndërsa qeveria e saj kishte planifikuar heqjen e qymyrit deri në vitin 2038, i konsideruar si i vonuar për një komb të zhvilluar. Zëvendësimi i Merkel, tashmë, mund të ndryshojë edhe politikën klimatike të Evropës në një moment vendimtar në luftën kundër ngrohjes globale. Në nëntor, udhëheqësit botërorë pritet të mblidhen në Glasgow, Skoci, për bisedimet ndërkombëtare për klimën.

Një përrallë e Vëllezërve Grimm

Reklama e fundit politike e Annalena Baerbock, u filmua në pyjet e Gjermanisë, një vend me rëndësi ekologjike dhe kulturore për njerëzit këtu. "Zëri juaj vendos për qeverinë që mund të ndikojë në mënyrë aktive në krizën klimatike para se të jetë vonë", tha Baerbock, teksa kamera fokuson mbi malet Harz në Gjermaninë veriore - një rajon tjetër i shkatërruar.

Në Gjermani, pyjet janë mushkëritë e vendit dhe mbulojnë 11.4 milionë hektarë - rreth një e treta e vendit - dhe absorbojnë afërsisht 62 milionë tonë dyoksid karboni nga atmosfera, çdo vit.

Pyjet nuk janë me rëndësi vetëm për ekologjinë dhe ekonominë e Gjermanisë – por ato janë pjesë e zemrës së saj kulturore, janë sfondi shekullor i përrallave si "Kësulëkuqja", "Borëbardha", "Hansel dhe Gretel" dhe mjedisi ideal drithërues për takimet me krijesat mitike. Tregimet u mblodhën nga Vëllezërit Grimm në shekullin XIX. Ato janë përkthyer në më shumë se 160 gjuhë dhe ende u lexohen fëmijëve në të gjithë botën. Efektet e ndryshimit të klimës po ndihen edhe në ndalesa të tjera turistike të përrallave të njohura të Gjermanisë (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos