Një fluturim i United Airlines me destinacion Los Angeles është devijuar pasi një objekt "misterioz" goditi xhamin e përparmë të avionit në 36,000 metra lartësi, duke e çarë atë dhe duke plagosur pilotin.
Sipas linjës ajrore dhe zyrtarëve të Forcave Ajrore të SHBA-së, avioni Boeing 737-MAX 8 me 134 pasagjerë në bord dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit në bord ishte nisur nga Denveri për në Los Angeles, por përfundimisht u ul në Utah "për të adresuar dëmtimet në xhamin e tij".
Piloti u plagos gjithashtu nga copëzat e xhamit dhe u trajtua me ndihmë mjekësore pas uljes emergjente. Ndërkohë, xhami i përparmë i çarë është dërguar në laboratorin e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit për t'u analizuar.
Kompania ajrore tha se pasagjerët u transferuan në një aeroplan tjetër me destinacion Los Angeles më vonë atë ditë dhe United po punon me ekipin e saj për ta rikthyer aeroplanin në shërbim.
"Kjo është një situatë shumë e pazakontë, duke pasur parasysh se xhami shkaktoi dëme në kabinë dhe duke pasur parasysh lartësinë prej 36,000 metrash në të cilën ndodhi përplasja. Ky është me të vërtetë misteri i madh", tha analisti i aviacionit, John Nance.
Xhamat e përparmë të avionëve janë projektuar me shtresa të shumëfishta për t'i bërë ballë dëmtimeve nga gjëra të tilla si goditjet e zogjve, moti apo edhe mbeturinat, por ekspertët thonë se është e rrallë që një goditje nga zogjtë të ndodhë në një lartësi kaq të madhe.
“Avioni është përplasur me një objekt dhe një dritare e kabinës së pilotit është thyer, kështu që na duhet të bënim një ulje emergjente në Salt Lake City”, tha studentja Heather Ramsey që ndodhej në bord, duke cituar mesazhin e pilotit.
Mes misterit të asaj që mund të ketë goditur xhamin e përparmë të aeroplanit, të hënën në mbrëmje, WindBorne Systems, një kompani që prodhon balona inteligjente që përdoren për parashikimin e motit dhe analizën e të dhënave, lëshoi një deklaratë duke thënë se objekti që goditi dhe çau xhamin e përparmë të fluturimit United mund të ketë ardhur prej tyre.
Në të njëjtën kohë, WindBorne Systems tha se po bashkëpunonte me autoritetet në hetim. (A2 Televizion)