Takimi Trump-Putin në rrezik? Moska: BE dhe NATO po bëjnë gjithçka për ta minuar

Nga Rosalba Bejdo
21 Tetor 2025, 10:23 | Bota

Shpresat e Presidentit amerikan Donald Trump për një takim të shpejtë me homologun rus Vladimir Putin mund të mos konkretizohen. Burime me njohuri mbi çështjen i thanë CNN se një takim përgatitor mes ndihmësve kryesorë të politikës së jashtme të liderëve botërorë këtë javë është pezulluar, të paktën për momentin. Trump tha të enjten pas një telefonate me Putinin se të dy "ranë dakord që do të ketë një takim të Këshilltarëve të Nivelit të Lartë javën e ardhshme, Sekretari i Shtetit Marko Rubio dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Megjithatë, takimi i planifikuar mes tyre është pezulluar për momentin, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN.

Nuk është e qartë përse takimi nuk do të zhvillohet më këtë javë, megjithëse një nga burimet tha se Rubio dhe Lavrov kishin pritshmëri të ndryshme në lidhje me fundin e luftës ruse në Ukrainë.

Në një reagim, zv.ministri i Jashtëm në Moskë, Sergei Riabkov akuzoi vendet e BE dhe NATO se po bëjnë gjithçka për të minuar takimin.

Siç u bë e ditur, Rubio dhe Lavrov kishin zhvilluar një telefonatë të hënën për të diskutuar hapat e radhës lidhur me çështjen. Kremlini foli për bisedë konstruktive, por DASH nuk e përmendi një fjalë të tillë.

“Rubio theksoi rëndësinë e angazhimeve të mëtejshme si një mundësi që për Moskën dhe Uashingtonin për të bashkëpunuar mbi një zgjidhje afatgjatë të luftës, në një linjë me vizionin e Trump” - thuhet në deklaratë. 

Zhvillimet vijnë teksa mediat ndërkombëtare raportuan një takim të tensionuar mes Zelenskit dhe Trump të premten, me të këtë fundit që thuhet t’i ketë bërë presion udhëheqësit ukrainas t’i lëshojë rajonin e Donbasit, Rusisë, për të arritur paqen.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos