Shqipëria nuk mund të ecë përpara nëse lë jashtë përfaqësimit dhe frontit të punës gruan. Pjesëmarrja dhe roli i saj në administratën publike dhe në sektorin privat është mjaft i rëndësishëm. Madje barazia gjinore është parakusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Shqipëria është një vend me gra të forta, të zgjuara dhe krenare të cilat kanë dhënë kontributin e tyre në fusha të ndryshme. Dikur kishit Sevasti Qirjazin me kontributin e saj të çmuar në arsim, e sot keni Mira Muratin. Në Shqipëri duhet të këmbëngulim që numri i grave në qeveri e Kuvend të mos jetë për formë, por edhe në përmbajtje. Barazia gjinore është parakusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ky proces është po kaq i rëndësishëm edhe në sektorin privat”, tha ambasadori i BE në vendin tonë, Silvio Gonzato.
Gjatë konferencës kombëtare “Women on Boards Albania” u vu theksi te roli dhe pjesëmarrja e gruas në bordet drejtuese të bizneseve. Drejtues dhe përfaqësues të sektorit privat në vendin tonë sollën shembuj se si “dora e grave” në ekipet e tyre drejtuese është forcë dhe zhvillim në ndërtim, hoteleri, turizëm dhe sektorë të tjerë.
“Projekti përfaqëson qeverisje përmes dizajnit, një komunitet bregdetar pa makina, me ndërtesa të ulëta, që përdor ajrin e pyllit/malit, dritën e diellit dhe qetësinë si pasuri natyrore. Projekti përfshin qendra mirëqenieje, kujdesi për të moshuarit, sporti dhe aktivitet komercial, për të mbështetur jetesën gjatë gjithë vitit. Lidhet dhe infrastruktura kombëtare si rruga Velipojë–Tiranë, pjesë të së cilës janë ndërtuar dhe po ndërtohen nga Gener2. Gjithpërfshirja është thelbësore në modelin e organizimit. Ekipi drejtues i entiteteve të përfshira në projekt — CEO, CFO, Chief Burime Njerëzore, Arkitektja Kryesore dhe Drejtoresha e Shitjeve — janë zonja profesioniste. Udhëheqja e tyre tregon se empatia dhe vazhdimësia janë forca jonë strategjike”, tha Andri Kasneci, Drejtor ekzekutiv i Baks Bay Albania.
“Për të pasur një strategji të mirë biznesi duhet të kemi mirëqeverisje. E kur flasim për qeverisje, i referohemi besimit. Besimi nuk jepet lehtë. Fitohet dhe ruhet. Në grupin tonë të biznesit, krijimi i besimit është mjaft i rëndësishëm për ne dhe investitorët. Është besimi që ndikon në rritjen tonë të përbashkët”, tha Eldlira Muka, CEO e BALFIN.
Drejtoresha ekzekutive e “Women on Boards Albania” thekson rolin e rëndësishëm të grave në bordet drejtuese të bizneseve.
“Në vitin e tretë shoh jo vetëm rritje në pjesëmarrje, por kemi ndryshuar bisedën tonë nga ndërgjegjësimi te efektiviteti për qeverisjen e mirë. Gratë kanë rol kritik jo vetëm për mbarëvajtjen e biznesit, por janë më efektive. Rritja e pjesëmarrjes së gruas vjen bashkë me rritjen e forcës së saj në punë. Shqipëria nuk mund të ecë përpara duke lënë gjysmën e forcës së saj udhëheqëse dhe punëtore jashtë frontit të punës”, tha Albana Vrioni.
Konferenca kombëtare “Women on Boards Albania” organizohet për të tretin vit radhazi në Tiranë. (A2 Televizion)