
Rusia do të përdorë Turqinë për t’i shitur gaz natyror Europës. Presidenti Recep Tayyip Erdogan dha detaje të reja për një marrëveshje të firmosur në takimin e fundit me homologun, Vladimir Putin, duke konfirmuar ndërtimin e një qendre të madhe shpërndarjeje për kontinentin e vjetër.
“Tani Europa po përpiqet të gjejë mënyra se si do të furnizohet me gaz natyror gjatë dimrit. Falë Zotit, Turqia nuk e ka një problem të tillë. Tani, me ndihmën e Zotit, Turqia do të shndërrohet në një qendër për shpërndarjen e gazit. Në takimin e fundit, ne u pajtuam me zotin Putin për këtë çështje dhe do të krijojmë një qendër këtu me gazin turk që vjen nga Rusia dhe me fjalët e tij, siç ia njoftoi ai botës, duke thënë se Europa mund të marrë furnizimin e saj me gaz nga Turqia”, tha Erdogan.
Këtë deklaratë e bëri duke iu drejtuar anëtarëve të partisë së tij në parlament. Synimet për të ndryshuar transitin e gazit natyror nga tubacionet “Nord Stream” i konfirmoi më herët dhe vetë Putin, duke shtuar se ato do të zhvendosen përmes rajonit të Detit të Zi dhe Turqisë. Urdhri i dy presidentëve për qeveritë respektive është që ndërtimi i gazsjellësve dhe qendrës së shpërndarjes të shqyrtohet në detaje në mënyrë urgjente. Firmosja e ujdisë mes Erdogan dhe Putin u bë javën e kaluar gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Kazakistan. (A2 Televizion)