
Edi Rama nuk besonte në fuqinë e Lulzim Bashës për të bindur të tijtë dhe Monika Kryemadhin të braktisnin Parlametin. Nga mbledhja në selinë rozë, me 18 shkurt, kryesocialisti nuk pati asnjë lëkundje nga 30 qershori, duke shpërfillur kundërshtarin. “Nuk besoj se do gjejnë konsensus për djegien e mandateve. Nuk besoj do ta bëjnë! Ne duhet të përmirësohemi!”, do të thoshte Kryeministri.
Opozita e bëri fakt të kryer dorëzimin e mandateve, ndërsa Ramës nuk i dolën parashikimet. Kur vendimi u zyrtarizua, Ramës nuk i mbeti veçse keqardhje, duke e quajtur një ditë të keqe për demokracinë.
Kryeministri nuk sheh asnjë defekt te vetja, e aq më pak te veprimet e tij, që mund të kenë shkaktuar këtë zemërim opozitar, që e çoi në vetëbraktisje të tempullit te demokracisë. Përkundrazi, kalon në sulm kur flet për arsyet e opozitës.
Frika se opozitarëve mund t’u kthehej mendja, bëri që grupi i PS të kërkonte menjëherë nga Kuvendi, shpalljen e pavlefshmërisë së mandateve dhe nisjen e procedurës së zëvendësimit të tyre. E kështu, Edi Rama dhe Lulzim Basha nisën një garë në dy korsi paralele, por me kahe të kundërta. Kërkesës për qeveri tranzitore, Rama i përgjigjej me këmbëngulje pa hequr dorë nga 30 qershori dhe duke vazhduar mandatin.
Format për t’iu kundërpërgjigjur Bashës, Rama i kishte të larmishme. Për shumë protesta poshtë zyrës së tij, Rama zgjodhi të udhëtonte jashtë Tiranës madje, gjeti kohë edhe për t’u kënaqur me vogëlushët. Kur pa se vala e protestave po ndalej dhe opozita nuk po kthente rrugë, Rama vuri në zbatim strategjinë e dyfishtë. Nga njëra anë nuk lëshonte terren, duke thënë se gjithçka mund të preket, por jo Qeveria, nga ana tjetër u kthye në një pozicion lutës, madje edhe me tone përgjëruese, që të ulej dhe njëherë me Bashën në një tryeze. Nisi kështu, saga e letrave në distancë.
Edi Rama i mbijetoi bombave me molotov dhe protestave të opozitës edhe falë mbështetjes ndërkombëtare që mori si nga Uashingtoni, edhe nga kancelaritë europiane. Përveç dënimit të dhunës dhe dorëzimit të mandatave, amerikanët ishin ata që më fort dhe hapur folën në favor të Kryeministrit. “Shqipëria ka një qeveri legjitime me të cilën ne bashkëpunojmë. Ajo është vend aleat dhe do të ketë suportin tonë”, do të shprehej në një takim me gazetarët Matthew Palmer, zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit.
Me këtë siguri, Rama u drejtua në fushatën elektorale të 30 qershorit, por këtë herë rrugën tentoi t’ia presë Ilir Meta, me një firmë që anulonte datën e zgjedhjeve që vetë Presidenti e kishte dekretuar. Për të gjithë ata që i kërkonin të bënte një hap pas, Edi Rama kishte një shpjegim se përse nuk mund të pranonte kërkesat e opozitës.
Edhe këtë herë, duket se kishte ndërkombëtarët në krah, të cilët ngulën këmbë se zgjedhjet duhet të bëheshin. “Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”, do të thoshte sërish Matthew Palmer.
Deri më 30 qershor, opozita shoqëroi me protestë çdo takim elektoral të socialistëve, ndërsa Rama nxirrte dufin përmes talljes, ironisë... dhe filxhanit të kafes turke… Të nesërmen e zgjedhjeve, harta e Shqipërisë ishte njëngjyrëshe. Fjalimin e fitores, Rama e shfrytëzoi jo vetëm për falënderime, por edhe për të sulmuar të gjithë.
Megjithatë, gëzimi i socialistëve nuk zgjati shumë. Ende pa u ulur në karrige Kryebashkiakët e rinj, opozitarët nisën denoncimet. Duke filluar nga Valdrin Pjetri në Shkodër, Mark Babani në Vaun e Dejës dhe Agim Kajmaku në Vorë.
Përballë njollës së trefishtë, Rames nuk i mbeti gjë tjetër veçse të ngrinte supet, pa harruar të saktësonte që secili prej tyre do të mbante përgjegjësi personale. Sikur të mos mjaftonte, faqen tjetër ua nxiu SHBA me emrin e Vangjush Dakos në listën e zezë, një nga njerëzit më të besuar të Kryeministrit, që mburrej se i kishte “duart e pastra, akullore”.
Janë të shumtë ata që besojnë së për të tejkaluar krizën, zgjidhja ideale do të ishte rikthimi sa më parë në kutitë e votimit, por Rama e mbylli vitin duke folur për zgjedhje vetëm në vitin 2021... (A2 Televizion)