“Një pjesë e politikanëve duhet të largohen, gjakftohtë që duan vetëm pushtet”

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2019, 10:34 | Politikë
“Një pjesë e politikanëve duhet të largohen,

Opinionisti Dritan Shano, i ftuar në Ditarin e orës 09:00, bëri një përmbledhje të vitit 2019, ndërsa foli edhe për pritshmëritë për vitin 2020.

Viti 2019, sipas Dritan Shanosh

“Do të kisha dashur shumë që viti 2019 të kishte një ton pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët, por kam shumë vështirësi për të gjetur gjëra pozitive në atë të përbashkëtën tonë. Një vit i vështirë politik. Opozita është jashtë parlamentit, jashtë bashkive. Është një vit që e rrëzoi demokracinë. Nuk ka pasur zgjedhje, ka pasur votime, është një vit që rezulton me liri të medias shumë më të ulët se më parë. Shqiptarët janë më të varfër. Parashikimet e rritjes ekonomike janë zvogëluar. Numri i shqiptarëve që largohet dhe që duan të largohen shtohet më shumë. Ka një klimë përçarja shumë të madhe, brenda Shqipërisë dhe me të gjithë shqiptarët e tjerë, sikundër është rasti i Shqipërisë dhe Kosovës. Por jo shqiptarëve dhe kosovarëve, por e elitave politike që kemi prodhuar, të cilat po krijojnë një problematik shumë të madhe. Më pas, ishte fatkeqësia natyrore e shtatorit dhe nëntorit, kur shteti u tregua i papërgatitur. Por qoftë me kaq dhe t’i kemi lënë me kaq. Ky është viti 2019 për mua”.

“Një pjesë e politikanëve duhet të largohen, gjakftohtë që duan vetëm pushtet”

“’Rreth flamurit të përbashkuar me një dëshirë dhe një qëllim’. Unë uroj që kjo frazë të ngulitet fortë në mendjet e atyre politikanëve, që unë mendoj se shumica duhet të ikin në shtëpi. Janë aty prej 30 vitesh dhe ajo që kanë prodhuar është më shumë se zezë sesa e bardhë. Unë mendoj se janë të ndërgjegjshëm dhe gjakftohtë në nguljen me thonj te pushteti. Refleksioni mungon në dëshirat e këtyre njerëzve. Është e qartë se ata duan vetëm pushtetin”.

Djegia e mandateve nga opozita

“Akti negativ është se ne nuk kemi sot një opozitë dhe kemi mungesë totale refleksioni nga ana e asaj pakice që quhet mazhorancë. Unë jam nga ata njerëz që e kam përshëndetur daljen nga parlamenti të opozitës. PD nuk mund të bëhet dekori, ajo që garanton demokracinë formalisht të një grumbulli kriminelësh të veshur me imunitet, por që në fakt kërkohen në komisariatet e Europës. Akti i paprecedent, shumë i vështirë sepse u godit nga komuniteti ndërkombëtar, jo aq se ishte i padrejtë, por sepse nuk mund të lejohej një shembull i tillë në zona akoma më të nxehta se Shqipëria. Kjo është arsyeja që ai akt nuk mori atë mbështetje që duhet të merrte. Unë jam radikal dhe mendoj se çdo akt që purifikon politikën shqiptare duhet përshëndetur. Në ’90 kur u themelua PD, asnjë nuk ishte në Parlament, por kjo nuk e pengoi atë ide të përhapet në shtëpitë e shqiptarëve. Politika është një dialog dhe nuk diskutohet vetëm në ato institucione formale dhe ku më mirë se të trokasësh derë më derë mund të ja dalësh. Unë them se opozita duhet të rrisë dozën e saj të sinqeritetit”.

“Opozita duhet të jetë më e sinqertë”

“Në ndryshim nga të gjitha forcat e tjera, PD-ja ka pasur hapje, pavarësisht lidershipeve që ndoshta kanë qenë në format autoritar. Ka një histori me fakte të provuara që PD-ja hapet, i mirëpret të gjithë ata njerëz që duan të kontribuojnë. Në radhët e PD-së ka gjithmonë vend për ata që kontribuojnë dhe siç kanë ardhur punët ka gjithnjë e më pak vend për grindavecët. Mua më shqetëson se ne duhet të kuptojmë se po rrudhemi me një shpejtësi shumë të madhe. Nëse ne nuk i drejtohemi bashkëpunimit, shumë shpejt Shqipëria do të zhbëhet. Mua nuk më pëlqen ajo që po shoh”.

“Nuk kemi nevojë të vendosim mure dhe trarë”

“Unë e kam parë si një nevojë që mazhoranca ka për të thënë se Zoti në Shqipëri jemi ne. Kjo është në të njëjtën linjë me ligjin anti-shpifje, me ato PPP-të. Kjo është psikologjia e tyre psikologjike. Po t’i hedhësh një sy, për shkak të sjelljes së kësaj mazhoranca kemi një situatë që para 10 vjetësh u hap rruga e kombit, ndërsa kjo mazhorancë i vuri traun. Ne kemi nevojë të bashkëpunojmë, nuk kemi nevojë të vendosim mure dhe trarë. Kjo është sjellja e këtyre njerëzve, këtë trashëgimi kanë. Ka një rikthim të Shqipërisë shumë mbrapa”.

Shqiptarët në një dekadë

“Në këtë dekadë, unë mendoj se Shqipëria nuk e ka shfrytëzuar potencialin që ka, nuk e ka zhvilluar mendjen e shqiptarit, nuk ka investuar në arsim. Treguesit dhe fuqia jonë ka rënë. E vetmja gjë që është shtuar janë emigrantët. Mosbesimi i njerëzve ndaj politikës është rritur dhe politika duhet të reflektojë. Unë besoj se ka potencial për të ndryshime rrënjësore. Unë shpresoj se BE dhe Amerika të kthejnë pak sytë nga Shqipëria për të detyruar lidershipet politike që të heqin dorë nga çmenduritë që po prodhojnë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos