
Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim përmbyllës për vitin 2019, e duke cilësuar “shumë të vështirë” për shqiptarët dhe i kulmuar me lëkundjet vrastare të tërmetit në 26 nëntor, por edhe si një vit që i paraprin sipas tij disa reformave të rëndësishme ekonomike që do të mundësojnë në vitin e ardhshëm fillimin e një periudhe më pozitive.
Për sa i përket pikërisht tërmetit, Rama theksoi se pa solidaritetin e gjithë popullit bilanci mund të kishte qenë shumë më dramatik, dhe premtoi se brenda vitit 2020 “ familjet e prekura nga tërmeti do të hyjnë në një shtëpi më të mirë sesa ajo që kanë patur, ndërkohë që shkollat duhet të rindërtohen deri në shtatorin e ardhshëm”.
Por Kryeministri foli edhe për lajme të mira që vijnë nga nëntoka. Sipas tij, falë sasisë dhe cilësisë së lartë të naftës dhe gazit të gjetur veçanërisht në zonën e Shpiragut, dhe kontratat me kompani ndërkombëtare si ENI, të rinforcuara në favor të shtetit shqiptar, “brenda 2021, do të shihet një rritje e madhe të parave të arkëtuara nga Shteti”, fillimi i një “dekade historike“ që do të “përmbysë pozitivisht parametrat ekonomike“ të vendit.
Nëntoka është pjesë e investimeve madhore që parashikohen për vitin e ardhshëm, ku u përmend Aeroporti i Vlorës, rruga Thumanë- Rrogozhinë dhe parqet voltaike në bregdet, si dhe investimi në infrastrukturën turistike të cilësisë së lartë.
Kryeministri foli edhe për kritikat dhe akuzat ndaj tij, duke thënë se ai është kritiku i parë i vetes dhe i qeverisë, se ka të meta por “ është i racës së atyre që ka hyrë në politikë për të bërë ndryshim”, dhe kurrë nuk ka bërë premtime që nuk mund t’ i mbante.
“Unë nuk jam i varfër, por nuk kam ëndërruar kurrë të bëhem i pasur, fitoj aq sa më mjafton për të jetuar”, shtoi kryeministri shqiptar. (A2 Televizion)