Qeveria e re gjermane, SPD nis këtë javë bisedimet me të gjelbrit dhe FDP

Nga A2 CNN
28 Shtator 2021, 13:47 | Bota
Qeveria e re gjermane, SPD nis këtë javë bisedimet me të

Fituan me diferencë të ngushtë zgjedhjet në demokracinë më të madhe të Europës, dhe tani socialdemokratët kanë nisur gjuetinë për ngjizjen e një koalicioni të mundshëm. SPD shpreson të nisë brenda javës bisedimet me të gjelbrit dhe liberalët e FDP, për krijimin e një qeverie trepalëshe. Partitë e vogla, që u pozicionuan në vend të tretë dhe të 4 në zgjedhjet e 26 shtatorit, konsiderohen lojtarë kyç për krijimin e qeverisë post-Merkel.

Të gjelbrit dhe FDP-ja janë ftuar nga ne për nisjen e bisedimeve për koalicionin që këtë javë. Besoj se të dyja partitë e vogla, të gjelbrit dhe FDP, duhet ta dinë se spektakli që prodhuan 4 vite mëparë, ndonjëherë nëpër ballkone, nuk ia vlen. Shpresa jonë është që të arrijmë shpejt në një marrëveshje”, tha kreu i grupit parlamentar të SPD, Rolf Muetzenich.

Olaf Sholc, kandidati për t’u bërë kancelari i parë që kur Merkel mori detyrën në vitin 2005 tha në Twitter se shpresonte në progres. Rivali i tij konservator, Armin Lashet, tha se mund të përpiqet të krijojë një qeveri pavarësisht se blloku CDU/CSU shënoi rezultatet më të këqija zgjedhore në histori. Megjithatë, gjermanët nuk janë në favor të një qeverie tjetër të udhëhequr nga konservatorët.

Sipas një sondazhi nga instituti Civey, për të përditshmen Augsburger Algemaine,71 për qind e të anketuarve e kundërshtojnë idenë e Lashet si pasues i Merkel, pas rezultatit të dobët në zgjedhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos