Qeveria emeton Eurobondin, Rama: Ky vend s'u thye nga tërmeti e s'u gjunjëzua nga Covidi

Nga A2 CNN
9 Qershor 2020, 19:34 | Ekonomi
Qeveria emeton Eurobondin, Rama: Ky vend s'u thye nga tërmeti e

Qeveria shqiptare emeton Eurobondin në bursën e Londrës. Burime të sigurta nga Ministria e Financave bëjnë të ditur për A2 se është arritur që të sigurohet e gjithë shuma prej 650 milionë euro e kërkuar nga pala shqiptare për një afat maturimi 7 deri në 10 vjet.

Por përgjigjja legale, me të gjitha detajet e këtij operacioni, përfshi këtu interesin me të cilin do të emetohet ky bond, pritet të mbërrijë ditën e nesërme.

Lajmi për emetimin me sukses të Eurobondit është konfirmuar në Twitter edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili gjithashtu nuk ka dhënë detaje.

“Analistët e shifrave që nuk i kuptojnë dhe opozitarët e aritmetikës që nuk e zotërojnë, le ta shohin rezultatin e sapo arritur të Shqipërisë në tregjet e kapitaleve, ku përgjigja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë te Shqipëria dhe te libri i llogarive të saj! Meqë këta nuk dinë t'i gëzohen asnjë të mirë të këtij vendi dhe meqë unë nuk i konsideroj shpulla për ta sukseset e Shqipërisë, u them se doni s'doni ju, edhe tregjet e thanë sot se ky vend që s'u thye nga tërmeti e s'u gjunjëzua nga Covidi, do dalë më i fortë nga të dyja”, shkruan kryeministri Rama.

Ministria e Financave ka planifikuar që 300 milionë euro nga Eurobondi do të përdoret për të riskeduluar bondin e vjetër dhe 350 milionë euro janë huamarrje e re.

Me herët, Serbia emetoi një Eurobond me vlerë 5 miliardë lekë në tregun ndërkombëtar me një interes 3,5%, ndërsa Maqedonia e Veriut pret të emetojë bondin e saj me vlerë 800 milionë euro në korrik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos