
Qeveria i kërkon Bankës së Shqipërisë të shtyjë bankat në kreditimin e bizneseve. Sipas kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, sistemi bankar duhet të financojë sipërmarrjen për të nxitur rritjen ekonomike, e cila është shtyrë sipas tij prej kapitalit të kompanive dhe jo prej kreditimit.
Nxitja e bankave drejt huadhënies, sipas ish-ministrit të financave, ishte arsyeja që qeveria realizoi blerjen mbrapsht të borxhit përmes operacionit të eurobondit. “Besoj që, Guvernator, është momenti që Banka e Shqipërisë, të thërrasë në tryezë sistemin bankar, i cili është për fat të mirë i mbytur në likuiditete dhe për fat të keq nuk ka shtyrë akoma në ekonomi kredinë për biznesin”, tha Ahmetaj.
Për guvernatorin Sejko, kreditimi i ekonomisë është rritur mbi 6% vit pas viti, por paraqitet në rënie për shkak të fshirjes së kredive të këqija nga bilancet dhe nga ndikimi i kursit të këmbimit. “Në të vërtetë, portofoli i kredisë është rritur vit pas viti. Duhet të jemi të vetëdijshëm që kemi pasur rritje të kreditimit, e cila për hir të së vërtetës ka qenë më e lartë se sa rritje ekonomike”, tha Sejko.
Megjithatë Sejko e pranoi që sistemi bankar ka nevojë për nxitje për të financuar. Sipas tij Banka e Shqipërisë do të zhvillojë së shpejti takime me Shoqatën e Bankave për të diskutuar strategjinë e promovimit të kreditimit. (A2 Televizion)