
Departamenti i Punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportoi së fundmi për një rritje me 263 mijë vende të reja pune gjatë muajit prill. Vendet e reja të punës që u krijuan muajin e kaluar u shpërndanë kryesisht në sektorët e industrisë.
Nga ana tjetër, shkalla e papunësisë ra në 3.6%, më e ulëta në pothuajse gjysmë shekulli, duke treguar edhe një forcë të qëndrueshme të aktivitetit ekonomik.
Megjithatë, pavarësisht shifrave pozitive të punësimit, rritja e pagave nuk ka qenë e mjaftueshme, për shkak se pjesa më e madhe e vendeve të punës janë krijuar në industri, që karakterizohet përgjithësisht nga paga të ulëta.
Raporti mbështeti vendimin e Rezervës Federale për të mbajtur normat e interesit të pandryshuara. Presidenti i Rezervës Federale, Jerome Powell u shpreh se rritja e vendeve të punës ishte më e fortë se sa ishte parashikuar.
Ekonomia e fortë, veçanërisht e tregut të punës mund të rrisë shpresat e rizgjedhjes së Presidentit Donald Trump vitin e ardhshëm. (A2 Televizion)