
Pas Zelandës së Re, edhe Australia duket se po e ‘’çlirohet’’ nga virusi që po terrorizon botën. Gjatë 24 orëve të fundit, vendi regjistroi vetëm një rast infektimi nga burim i panjohur, dhe 12 në total.
Për autoritetet, kjo është një fitore e rëndësishme që nënkupton jo vetëm sheshimin e kurbës së pandemisë por edhe konsolidimin e shtrirjen e saj. Australia ka regjistruar rreth 6700 raste me COVID-19 dhe 85 vdekje.
Por gjatë javës së fundit, vetëm 100 persona janë infektuar, mes testimeve masive. Një sukses i vërtetë po rezulton aplikacioni “CovidSafe”, i cili monitoron rastet me koronavirus.
Në vetëm 24 orë pas lançimit, ai u shkarkua nga më shumë së 1 milion njerëz. Përdoruesit njoftohen nëse kanë qenë për më shumë se 15 minuta në kontakt të afërt me një përdorues tjetër që ka rezultuar pozitiv.
Plazhi më i famshëm në vend, ai i Bondit, hapi sërish dyert për qytetarët të cilët nxituan ti riktheheshin notit dhe sërfit.
Zelanda e Re hyri në një fazë të re, me më pak kufizime, pasi njoftoi se e kishte fituar betejën me pandeminë. Niveli i kërcënimit u ul nga katër në tre, disa biznese jothelbësore dhe shkollat rihapën dyert të martën.
Rreth 400 mijë njerëz iu rikthyen punës, e megjithatë rregullat e distancimit social do të vazhdojnë të jenë në fuqi, falë izolimit dhe mbylljes së shpejtë Zelanda arriti ta frenojë herët pandeminë, me më pak se 1500 të infektuar dhe 19 viktima. (A2 Televizion)